Marrëzia e kujtesës kolektive të 8 dhjetorit
schedule14:50 – 10 Dhjetor, 2025
Nga Roland Lami
Ka një ditë në kalendar që rikthehet çdo vit si moment testi kujtese dhe konfirmimi, ai është 8 Dhjetori. Të gjithë duan të dëshmojnë se kanë qenë aty, madje edhe ata që në atë kohë s’dinin as ku ishin, as pse shkonin, as çfarë po ndodhte jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në një farë mënyre, të qenit “i pranishëm” në ato ditë dhjetori është shndërruar gati si komponentë ekzistencializmi. Një copë biografie i atyre ditëve vlen më shumë se çdo aftësi, më shumë se çdo mendim i ndërtuar me mund në periudhën e mëvonshme.
Absurd si një brez i tërë, që nuk dinte të artikulonte as frikën e vet, sot e shfaq veten si pararojë e guximit moral.Në atë kohë, realiteti nuk ishte as heroik, as i zëshëm. Ishte një mjegull e trashë ku ne lëviznim si ata që ndjekin një dritë pa e ditur nga vjen. E megjithatë, sot, pas dekadash, ajo mjegull është shndërruar në reflektor, dhe shumë sy që dikur shihnin vetëm hijet sot e tregojnë veten si përkufizim të qartësisë, kthjelltësisë dhe largpamësisë. Ata që s’dinin ku ishin, sot e dinë saktësisht ku qëndruan.
E gjitha kjo nuk është çështje keqdashjeje. Është thjesht mënyra sesi njeriu krijon lavdinë nga hutimi. Nga ajo mosdije e pafajshme, që sot e kujtojnë si diturinë më të thellë. Një transformim i heshtur ku padija vesh petkat e urtësisë. Çdo vit, sa herë përsëritet data, i njëjti ritual, njerëzit shtyhen, jo për të thënë të vërtetën, por për të mos mbetur jashtë fotografisë së kujtesës.
Ka diçka pothuaj komike në insistimin “isha aty ato ditë dhjetori”. E njëjta frazë, njësoj e thatë, njësoj triumfaliste, njësoj pa përmbajtje, thuhet me ton solem sot sikur vetë prania të mjaftone për të nënkuptuar kontributin. Si të thuash: “Nuk bëra asgjë, por isha aty kur ndodhi diçka që sot më bën të dukem i rëndësishëm.” Është një lloj teatri ku rolet shpërndahen pas shfaqjes, dhe ata që kishin harruar tekstin atë natë, sot recitojnë monologë që tingëllojnë si përfaqësim i ndërgjegjes së një kombi.
Ndërkohë, ajo ditë që duhej të ishte më e qartë se çdo e vërtetë tjetër, është bërë më e turbullt. Mentorët e vetëshpallur shtohen, dëshmitarët rriten si kërpudhat pas shiut, kujtimet bëhen më të ngrohta ndërsa e vërteta ftohet. Çdo vit fitojmë disa të pranishëm të rinj. Nëse vazhdohet kështu, shumë shpejt 8 Dhjetori do të rezultojë ngjarja me pjesëmarrje më të madhe në historinë e njerëzimit, shumë më të madhe se ajo që mund të mbante fizikisht sheshi ku ndodhi.
Dhe në fund, mbetet pyetja e madhe, ajo që asnjëri nuk e thotë, po mirë, ishe aty… po pastaj? Çfarë kuptove? Çfarë mësove? Çfarë kontribove? Heshtje. Sepse përgjigjet mungojnë. Prania po, kuptimi jo. Lëvizja po, vetëdija jo. Dhe pikërisht kjo e bën sarkazmën e historisë edhe më të hidhur, ajo ditë që duhej të ishte e pastër nga iluzionet, sot është mbuluar nga iluzione të reja.
Ndoshta kjo është natyra njerëzore, të ndërtojmë historinë, pastaj ta rindërtojmë sipas dëshirës sonë. Të mos mjaftohemi me të vërtetën, por të kërkojmë edhe vendin tonë brenda saj, me çdo kusht. Edhe kur ky vend është një karrige e improvizuar në rreshtin e fundit, që sot e rrëfejmë si podium.
Në fund të fundit, 8 Dhjetori nuk është më ngjarja që ndodhi, por ajo që kujtohet. Dhe kujtesa, më shumë se historia, ka fantazi të pashtershme.