Masa e GJKKO: Balluku të largohet menjëherë nga zyra, nëse nuk bindet rrezikon masë më të rëndë
Të tjera detaje dalin në dritë nga dy masat e dhëna sot për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila u pezullua sot nga detyra dhe iu bllokua pasaporta, duke i ndaluar asaj daljen jashtë vendit. Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala, e cila dha e para lajmin për masën e GJKKO, pohoi se masa ndaj Ballukut i kërkon kësaj të fundit që të largohet menjëherë nga zyra e saj, në të dy postet e rëndësishme, si zëvendëskryeministre dhe si ministre e Infrastrukturës.
Ky urdhër është dhënë me pretendimin se Balluku mund të rrezikojë prishjen e provave, duke qenë afër detyrave të tyre. Lala tha se nëse Balluku nuk zbaton menjëherë këtë urdhër, ajo rrezikon masë më të rëndë nga Gjykata e Posaçme. Balluku është nën hetim për tunelin e Llogarasë, por prokurorët kanë marrë nën kontroll dhe dosje të të praktikave të tenderave të tjerë. Ballukut i ndalohen dalja jashtë vendit për arsye politike, ndërsa mund t’i jepet leje vetëm për arsye të forta familjare, shëndetësore.
“Zonja Balluku akuzohet për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Dëmi i shkaktuar ndaj shtetit është rreth 50 mln euro, ndërsa tenderi është paracaktuar.”, tha Lala.
Kujtojmë se GJKKO ka dhënë masë ‘arrest shtëpie’ dhe për dy bashkëpunëtorë të saj të ngushtë, Erald Elezin, drejtor i KESH-it, dhe kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb