“Mbiemri që peshonte më shumë se fëmijëria; jeta ime pa dhe me Roberto Baggion”
31 Dhjetor 2025
8:49
Alfred Lleshi
Një rrëfim i sinqertë dhe prekës për jetën pas legjendës… Vajza e Roberto Baggios flet pa filtra për peshën e mbiemrit, mungesat, rebelimin, ribashkimin dhe njeriun e thjeshtë që fshihet pas ikonës së futbollit. Një histori familjare që shkon përtej stadiumeve dhe trofeve:
“Të jesh vajza e Roberto Baggios nuk ka qenë e lehtë; ndonjëherë madje mendoja se doja ta ndryshoja mbiemrin. Unë bëhesha shoqe më shumë me djemtë sesa me vajzat, sepse ata interesoheshin për babanë tim: donin autografe ose të vinin në shtëpi për ta njohur, ndërsa unë doja thjesht të luaja futboll me ta. Kështu, vajzat e tjera nuk më donin shumë.
Për të gjithë isha “vajza e Baggios”, por iu thoja: Përpiquni të më njihni. Ai është ai, unë jam unë, jam një vajzë normale. Kur isha e vogël, babai im nuk mund të ishte shumë i pranishëm në jetën time: vuaja sepse shoqet e mia shëtisnin të dielave me baballarët e tyre, ndërsa unë e shihja tim atë në stadium; në shtëpi ishte shumë pak.
Kur ai ndaloi së luajturi te Brescia në vitin 2004, unë isha 14 vjeçe, por në fakt nuk njiheshim mirë. Nuk ishte e lehtë në fillim. Nga 14 deri në 19 vjeç pata momente rebelimi të plotë. U ktheva të jetoja në Vicenza, që krahasuar me Milanon ishte një qytezë dhe ndihesha sikur po mbytesha. Jetoja vetëm me të dhe ndieja pothuaj frikë, nuk dija për çfarë të flisja; dukej sikur nuk njiheshim, sepse nuk kishim kaluar shumë kohë bashkë.
Në vitin 2009 u transferova sërish në Milano, në fillim kthehesha shumë pak në shtëpi. Ndërkohë kishte lindur vëllai im i vogël, Leonardo, dhe e shihja të rritej nga larg. Paradoksalisht, ‘lockdoën’-i më bëri ta njihja më mirë babanë tim. Nuk kanë qenë vite të lehta për Italinë, por mund të them se ato ishin 18 muajt më të bukur të jetës sime.
Jetoja në Milano dhe u ktheva në Veneto, në shtëpi, ku mund të rrija në ajër të hapur. Prindërit e mi më njohën kështu si të rritur, dhjetë vjet pasi isha larguar, isha bërë grua. Kalonim shumë kohë bashkë; gatuaja çdo gjë me vëllain tim, kalova shumë kohë me babanë, bënim lojëra të gjata me letra.
‘Lockdoën’-i ishte tragjik, por në një farë mënyre për mua ishte një bekim. Të jetosh një jetë të ngadaltë ndryshon shumë gjëra: ishim nën të njëjtën çati, gjithmonë bashkë, mund të flisnim për shumë tema, të diskutonim për gjithçka; ata shihnin këndvështrimin tim si person i rritur dhe jo si vajzë e vogël.
Ka shumë momente që i kujtoj të lidhura me karrierën e babait tim: i pari kur më çoi 3 vjeçe në ceremoninë e ‘Topit të Artë’. Kujtoj kur më çuam në Pavia, në restorantin e disa miqve; kam një foto ku e përqafoj. Edhe lamtumira në ‘San Siro’ ishte shumë e bukur dhe emocionuese. Pastaj kujtoj një gol me roveshatë te Brescia pas dëmtimit.
Ndoshta vëllai im ka më shumë kujtime të lidhura me futbollin, sepse i pëlqente të shkonte në stërvitje ose të hynte në dhomat e zhveshjes. Një gjë, megjithatë, e di e gjithë familja: kur ishte në shtëpi, babai na bënte të dëgjonim korët e Boca Juniors, sepse është i dashuruar me klubin argjentinas. Na sillnin shumë gëzim.
Fanella me të cilën është më i lidhur? Babai ka jetuar mirë kudo; është shumë i lidhur me Firencen dhe sigurisht shumë i lidhur me kombëtaren. Kam jetuar në Torino, Milano dhe Bologna; që nga Juventusi e kemi ndjekur gjithmonë. Në Brescia nuk shkuam, sepse babai e dinte se do të ndalonte pas pak dhe unë mbeta në Vicenza.
Roberto Baggio si njeri është një person i turpshëm dhe i rezervuar; mund t’ju them se është shumë i dashur, tepër i përzemërt, emocionohet edhe kur luajmë letra, duke dëgjuar muzikë. Ai ka preferuar gjithmonë të flasë me vepra; flet pak, sidomos që kur ka ndaluar së luajturi. Edhe sot ndonjëherë del në pah penalltia e finales së vitit 1994; shkon shpesh në Brazil dhe e kujtojnë mirë.
Është një kujtim i pashlyeshëm i jetës së tij, por është e vështirë të flasësh për atë me të. Ai arriti deri aty me shumë sakrifica, por pas asaj penalltie ndoshta njerëzit u dashuruan edhe më shumë me të, duke parë anën e tij njerëzore, sepse ishte dëshmia se edhe të mëdhenjtë gabojnë.
Sigurisht që i mungon të luajë, por bota e futbollit ka ndryshuar shumë krahasuar me kohën e tij. Tani merret me gjëra të tjera, jeton i tërhequr në mes të natyrës dhe është i lumtur ashtu siç ishte kur luante futboll. Është i kënaqur kështu dhe bën një jetë shumë të thjeshtë”.