Më shumë minuta aktivizim te Milani, “San Siro” i dorëzohet yllit që ndalon kohën…
31 Dhjetor 2025
8:34
Alfred Lleshi
Luka Modric la Real Madridin në verë, pas 13 sezonesh, duke u bërë një nga figurat më të mëdha në historinë e klubit. Në moshën 39-vjeçare, ai e kuptoi se kapitulli i “Bernabeu” kishte përfunduar, por jo futbolli i tij. Italia i ofroi një sfidë të re te Milani dhe 4 muaj më vonë rezultati është i qartë: mosha nuk ka rëndësi kur talenti sundon.
Modric është lojtari me më shumë minuta te Milani dhe një nga shtyllat e kuqezinjve. Ai organizon, ndalon dhe përshpejton lojën, duke sjellë koherencë, karakter dhe lexim të lojës, çka e përmirëson skuadrën. Vetëm në Superkupë dhe në raundet e para të Kupës së Italisë është kursyer pak minuta.
Përtej fushës, Modric investon në biznes, duke blerë 50% të birrarisë artizanale “Zeppelin” në Kroaci. Kohët e fundit u shpall “Legjenda e Vitit” nga “Gazzetta dello Sport”. Në moshën 40-vjeçare, ai vazhdon të sundojë “San Siron”, duke treguar se koha thjesht nuk ka ndikim mbi të.