“Me siguri, së shpejti do të ketë një projekt të madh për Alonso dhe stafin e tij”
14 Janar 2026
13:53
Alfred Lleshi
Hansi Flick pati fjalë vlerësimi për Xabi Alonson, pas shkarkimit të tij si trajner i Real Madrid. Gjermani, që ruan një marrëdhënie të mirë profesionale me teknikun bask, shmangu gjykimin e vendimit të klubit madrilen, por theksoi vështirësinë e punës së trajnerit në futbollin e elitës.
“Te Real Madridi kanë vepruar kështu, por nuk është puna ime dhe nuk dua të flas për këtë, – tha Flick, përpara se të shpjegonte lidhjen me Alonso: – Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Xabi, u njohëm në Leverkusen kur unë isha trajner i kombëtares dhe kemi qenë në kontakt”.
Flick nënvizoi se situata të tilla janë pjesë e natyrshme e futbollit profesionist: “Puna e trajnerit është shumë e ndërlikuar, ne kemi shumë përgjegjësi. Shkarkimi dhe largimi janë pjesë të profesionit tonë, ndaj duhet të jetojmë me këtë”.
Ai u shpreh i bindur për të ardhmen e Alonso: “Duhet t’i pranosh këto gjëra në futboll dhe i uroj më të mirën. Me siguri, së shpejti do të ketë një projekt të madh për të dhe stafin e tij”.
Flick e mbylli me mbështetje të qartë: “Futbolli është kështu, duhet të ecësh përpara dhe të dish ku të përmirësohesh, por Xabi është një trajner fantastik, ka të ardhme të madhe përpara”.