Me sytë nga Londra/ Arsenal dhe Bayern do të luajnë një finale të parakohshme
Nuk mund të cilësohet një klasike, por është sfidë e madhe.
Bajerni do të ketë sonte një tjetër duel të veçantë në Champions, pas fitores së arritur në fushën e kampionëve të Europës, Paris SG.
Bavarezët, ndër gjigandët më të mëdhenj të kontinentit, kryesojnë Ligën e Kampionëve me katër fitore të plota, po aq sa edhe Arsenali që I pret në Londër sonte në 21:00.
Golaverazhi është më i mirë për gjermanët, ndonëse vetëm për shkak të golave të shënuar, 14-3 ndaj 11-0.
Bajern jo më kot mbahet si tmerri I rivalëve këtë edicion, me vetëm një barazim në të gjitha konkurrimet.
“Bombardieri” kryesor, Harri Kejn, padyshim do ta ketë sfidën në “Emirejts” si një derbi, jo më kot ka qenë djalë vendas I Totenhemit.
Po ashtu, Nikolas Xhekson, i huazuar nga Çelsi.
Sulmuesi tjetër, Luis Diaz, mungon i pezulluar, por kjo mund t’i hapë rrugën fenomenit të ri, Lenart Karl.
Xhoshua Kimih është gati, veçse Musiala e Dejvis mungojnë.
Ky Arsenal duket shumë më i fortë edhe në karakter se më parë, dhe kryeson Premier Ligën me fitoren e madhe 4-1 ndaj Totenhemit.
Londinezët mund të kenë në ekip kapitenin e tyre, Odegard, pasi ylli norvegjez u stërvit dhe trajneri Arteta deklaroi se ka shpresë për të.
Pritet të vendoset në fund, ndërsa “topçinjve” u mungon një qendërsulmues pasi Gjëkeresh dhe Haverc sërish janë jashtë.
Edhe Gabriel Zhezus nuk mund të llogaritet.
Arsenali është në formë të shkëlqyer dhe më në fund duket se do ta fitojë titullin në Angli pas plot 22 viteve.
Sidoqoftë, vëmendja në Champions mbetet edhe pse rivali është tepër I madh.
Bilanci mes dy rivalëve është thellësisht në favor të Bajernit, me 8 fitore në Champions, 3 barazime e 3 humbje, dhe golat 30-15.