Milan-Como luhet në të njëjtën kohë me Champions-in, të mërkurën e 18 shkurtit
31 Janar 2026
12:58
Alfred Lleshi
Ndeshja Milan-Como, e vlefshme për javën e 24-t të Serie A, do të luhet të mërkurën, më 18 shkurt, me fillim orën 20:45. Këtë e ka bërë të ditur këtë të shtunë Lega Serie A. Takimi ishte shtyrë për shkak të mosdisponueshmërisë së stadiumit “San Siro”, i cili do të jetë vendi i ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”.
Në të njëjtën mbrëmje do të luajë edhe Interi, i angazhuar në Norvegji në “play off”-et e Champions League kundër Bodo/Glimt. Do të jetë një mbrëmje e veçantë Shën Valentini për Serie A, pasi supersfida e javës së 25-të, Inter-Juventus, do të luhet të shtunën, më 14 shkurt, në orën 20:45. Sipas njoftimit të Lega Serie A, java nis të premten me Pisa-Milan, vijon të shtunën me Como-Fiorentina (15:00) dhe Lazio-Atalanta (18:00), përpara “Derby d’Italia”.
Të dielën, Udinese-Sassuolo luhet në drekë; në 15:00 dy sfida mbijetese Cremonese-Genoa dhe Parma-Verona; më pas Torino-Bologna (18:00) dhe Napoli-Roma (20:45) në “Maradona”. Java mbyllet të hënën me Cagliari-Lecce. Të mërkurën, 18 shkurt (20:45), luhet rikuperimi Milan-Como (java e 24-t). Java e 26-të nis më 20 shkurt me Sassuolo-Verona; përfshin Juve-Como, Lecce-Inter, Atalanta-Napoli, Milan-Parma dhe mbyllet më 23 shkurt me Fiorentina-Pisa dhe Bologna-Udinese.