Mirditë, izolohen 10 fshatra/ Moti i keq shkatërron urat, banorët të bllokuar. Probleme në disa fshatra të Korçës e Devollit
schedule18:23 – 19 Nëntor, 2025
10 fshatra në bashkinë e Mirditës janë bllokuar nga shembjet e urave dhe dëmtimeve në akset rrugore.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka goditur rëndë këtë bashki, ndërsa në rrezik është edhe ujësjellësi i qytetit, pasi përroi i Tarazhit vijon të gërryejë zonën ku kalojnë tubacionet kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm.
Për banorët e fshatit Jezull, kjo është hera e parë që po përballen me një situatë kaq të rëndë. Në ditën e dytë të reshjeve dhe motit të përkeqësuar që ka përfshirë vendin, Kurbini vijon të jetë ndër më të goditurit.
Edhe në malësinë e Kurbinit, tre fshatra u izoluan totalisht nga dëmtimi i disa urave.
Evakuime ka patur edhe në Zejmen të Lezhës, ku banesa e një familjeje me 7 anëtarë u përmbyt nga reshjet e dendura të shiut.
Evakuime ka patur edhe në Delvinë e Finiq, pasi uji vërshoi në rrugë, toka bujqësore e banesa. Ura e Mifolit në Novoselë është edhe zona më nevralgjike për shkak të rrezikut nga prurjet e lumit Vjosa.
Rrezik për përmbytje ka edhe në disa fshatra të Fierit. Edhe qarku i Korçës është prekur nga reshjet e dendura të shiut. Në bashkinë e Devollit në urën e fshatit Çetë u ndalua qarkullimi pasi situata paraqet rrezik për kalimtarët.
/abcnews.al/
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

