Mjafton dopieta e Hojlund, Napoli e mbyll vitin me fitore (video)
28 Dhjetor 2025
17:01
Telesport
Napoli e ka mbyllur vitin me fitore, pasi mposhti Cremonese në transfertë 002, ndeshje e vlefshme për javën e 17-të në Serie A, e fundit për këtë vit kalendarik.
Ekipi i drejtuar nga Antonio Conte gjeti golin në minutën e 13-të, ku goditja e devijuar nga Leonardo Spinazzola, shtyhet në rrjetë nga Rasmus Hojlund. Danezi në kufijtë e pozicionit jashtë loje, u tregua i vëmendshëm, duke gjetur golin.
Në fund të pjesës së parë, Hojlund dyfishoi shifrat. Politano kroson në zonë për Scot McTominay, i cili nuk shënon dot, por asiston për danezin, i cili dërgon topin në rrjetë për herë të dytë.
Me dy golat e shënuar sot, Hojlund shkon në kuaotën e 9 golave me Napolin në 19 ndeshje në të gjitha kompeticionet, pa harruar këtu edhe 3 asistet. Pjesa e parë mbyllet 0-2 për Napolin.
Pjesa e dytë ishte po ashtu më e mirë për Napolin, që pati disa raste të mira për të thelluar rezultatin, por shifrat mbetën të pandryshuara deri në fund. Napoli fiton 0-2 dhe renditet momentalisht në vendin e dytë me 34 pikë, ndërsa Cremonese në vendin e 12-të me 21 pikë.