Morën peng dhe dhunuan 32 vjeçarin/ Gjykata liron vëllain e deputetit Nallbati, jashtë qelisë edhe dy të tjerë
Sondazh
Loading …
schedule16:20 – 14 Dhjetor, 2025
Pas 40 ditësh në qeli, Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, si dhe dy shtetasit e tjerë Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, kanë lënë ambientet e burgut të Drenovës, pasi gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Mësohet se gjatë seancës gjyqësore, pas 40 ditësh qëndrimi në masën e sigurisë “arrest në burg”, gjykata vendosi lehtësimin e masës për shkak të mbledhjes së provave dhe kryerjes së veprimeve hetimore shtesë nga ana e Prokurorisë.
Tre të arrestuarit dyshohet se kanë marrë peng dhe kanë dhunuar 32-vjeçarin Ilir Topçiu, ngjarje për të cilën tashmë janë lënë në arrest shtëpie me vendim gjykate.
Ngjarja ka ndodhur më shumë se një muaj më parë në qytetin e Bilishtit, ku tre të dyshuarit kanë marrë me forcë 32-vjeçarin Ilir Topçiu, duke e çuar në një magazinë në pronësi të njërit prej tyre, ku e kanë dhunuar dhe e kanë mbajtur peng për disa orë.
Kjo ngjarje tronditi opinionin publik, ndërsa një ditë më pas u shkarkua drejtori i Policisë së Qarkut Erion Ahmeti dhe u pezullua zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Hajri Kushe.
Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku akuzohen për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “kanosjes”, të kryera në bashkëpunim. Ndërsa Marsel Buçi, përveç këtyre dy veprave penale, akuzohet edhe për “plagosje të lehtë me dashje”.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, që prej momentit kur Ilir Topçiu denoncoi ngjarjen pranë uniformave blu.
Të ngjashme