Moska kryen sulme të reja ndaj infrastrukturës energjetike, nisin bisedimet e reja Ukrainë-Rusi në Abu Dhabi
Bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur në Emiratet e Bashkuara Arabe, disa orë pasi forcat ruse kryen sulme të reja në mbarë Ukrainën.
Negociatat e drejtpërdrejta mes Moskës dhe Kievit, me përfshirjen e përfaqësuesve amerikanë, rifilluan në Abu Dabi më 23-24 janar. Takimet mes negociatorëve ukrainas dhe rusë kanë qenë të rralla që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Negociatori kryesor i Ukrainës, Rustem Umerov, konfirmoi në X se negociatat kanë nisur, duke thënë se negociatorët nga Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja kanë nisur takimin në formatin trepalësh.
“Më pas vjen puna e grupeve të ndara sipas temave të caktuara, pas së cilave është planifikuar sinkronizimi i përbashkët i qëndrimeve”, shtoi ai.
Sipas raportimeve të mëhershme të mediave, që cituan një zyrtar të paidentifikuar të Shtëpisë së Bardhë, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, do të përfaqësojë Uashingtonin në negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë.
Shpresat janë të pakta për ndonjë përparim drejt përfundimit të luftës që ka nisur pothuajse katër vjet më parë dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve më herët gjatë 4 shkurtit se pozicioni i Rusisë në bisedime mbetet i pandryshuar dhe se “është absolutisht e qartë dhe këtë e dinë negociatorët e Kievit dhe ata amerikanë”.
Bisedimet vijnë disa orë pasi Rusia kreu një sulm masiv me raketa dhe dronë që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe rajonet e tjera në mbarë Ukrainën. Zyrtarët ukrainas thanë se këto janë taktika të njohura të Kremlinit që përdor diplomacinë për të blerë kohë dhe njëkohësisht intensifikon sulmet.
Forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën gjatë natës me më shumë se 100 dronë, raportuan Forcat Ajrore ukrainase më 4 shkurt.
Në rajonin e Dnipropetrovskut, dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi me dronë, sipas autoriteteve rajonale.
“Një grua 68-vjeçare dhe një burrë 38-vjeçar u vranë” në sulmin ndaj rajonit të Dnipropetrovskut, shkroi në Telegram Mykola Lukashuk, kreu i administratës rajonale.
Në rajonin jugor të Odesës, të paktën pesë persona u plagosën nga një sulm rus gjatë natës, thanë autoritetet rajonale, duke shtuar se u dëmtuan shtëpi, kopshte fëmijësh dhe një shkollë./ REL
© BalkanWeb