Moska lëshon dronë dhe raketa mbi Kiev, një viktimë dhe shtatë të plagosur nga sulmet ruse, mes tyre edhe një 13-vjeçar
Kievi u godit rëndë gjatë natës, kur forcat ruse nisën një seri sulmesh me raketa dhe dronë, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme në kryeqytetin ukrainas.
Sipas bilancit paraprak të komandës ushtarake të Kievit, të publikuar nga kreu i saj Timur Tkachenko rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person humbi jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën, mes tyre edhe një i mitur. Kryebashkiaku Vitali Klitschko konfirmoi se gjashtë persona u plagosën brenda qytetit, ndërsa tre prej tyre — përfshirë një 13-vjeçar — u dërguan në spital.
Sulmet shkaktuan dëmtime në komplekse banimi dhe automjete në të paktën gjashtë zona të ndryshme të kryeqytetit. Tkachenko e cilësoi ofensivën si një “përpjekje të rusëve për të terrorizuar popullsinë civile”.
Ndërkohë, në rajonin periferik të Brovaryt, në lindje të Kievit, guvernatori Mykola Kalashnik njoftoi se dy gra u plagosën në një “sulm armiqësor me dron dhe raketa”.
Autoritetet paralajmëruan se bilanci mund të ndryshojë, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet dhe punën për të vlerësuar dëmet.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb