Moti i keq godet Bolivinë/ Tre të vdekur dhe disa të zhdukur
schedule10:23 – 15 Dhjetor, 2025
Bolivia është goditur nga katastrofa natyrore, duke regjistruar përmbytje, viktima dhe dëme të shumta materiale.
Të paktën tre persona kanë vdekur dhe tetë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve në Bolivinë lindore, njoftuan autoritetet lokale të shtunën.
Lumi Piraí, i cili rrjedh nëpër qytetin e Santa Cruz de la Sierra, doli nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar përmbytje të gjera – kryesisht duke prekur komunitetet e El Torno dhe La Guardia – dhe shembjen e një ure.
“Tre persona u gjetën të vdekur, të shtypur nga grumbujt e druve, ndërsa fati i tetë personave të tjerë është i panjohur”, tha zëvendëspresidenti bolivian Edman Lara. Shtëpitë ishin të mbuluara me baltë dhe banorët humbën pothuajse të gjitha kafshët dhe sendet personale, tha ai. Familjet po përpiqen të shpëtojnë veten.
Ato u detyruan të strehoheshin në çatitë e shtëpive të tyre për shkak të rritjes së shpejtë të niveleve të ujit. Helikopterët u mobilizuan për t’i shpëtuar ata.
Shumë njerëz hipën mbi çatitë e shtëpive, duke pritur shpëtimin nga autoritetet.