Moti i keq përfshin vendin/ Ministria e Shëndetësisë plan masash për menaxhimin e situatës
Ministria e Shëndetësisë ka aktivizuar një plan të posaçëm masash për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë disa zona të vendit që prej mbrëmjes së kaluar. Siç bëhet me dije përmjes një njoftimi për mediat, strukturat në varësi të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) janë në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë dhe po monitorojnë situatën në kohë reale.
Sipas njoftimit zyrtar, janë ndërmarrë një sërë masash parandaluese dhe reaguese në institucionet shëndetësore për të garantuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve për qytetarët. Këto masa përfshijnë:
– Verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave të medikamenteve
-Koordinim i ngushtë me pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave civile
-Aktivizim i plotë i shërbimeve spitalore të urgjencës
Po ashtu spitalet rajonale e bashkiake raportojnë se rezervat kritike (medikamente, material mjekësor, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë) janë të siguruara dhe gati për përdorim.
Zonat më të prekura nga reshjet e dendura përfshijnë Kurbinin, Matin, Lezhën, Shkodrën, Malësinë e Madhe, Tropojën, Kukësin dhe Hasin. Megjithatë, sipas raportimeve nga terreni, aktualisht nuk ka problematika në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në këto zona dhe strukturat funksionojnë normalisht.
OSHKSH mbetet në komunikim të pandërprerë me të gjitha njësitë për çdo rast emergjent që mund të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme, duke garantuar një reagim të shpejtë dhe të koordinuar në çdo skenar të mundshëm.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të kontaktojnë shërbimet e urgjencës në rast nevoje. / abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!