MOTOGP/ Markez rikthehet pas 121 ditësh, dominon ditën e parë në teste
Ka nisur zyrtarisht parasezoni i MotoGP 2026 me testet 3-ditore në Sepang të Malajzisë. Pilotët do të kenë edhe dy ditë prova në Buriram, përpara Çmimit të Madh të parë të sezonit që zhvillohet më 27 shkurt-1 mars në Tajlandë.
Testet po zhvillohen me dy mungesa të rëndësishme: Fermin Aldeguer (Gresini), i dëmtuar në femurin e majtë, dhe kampioni në fuqi Horge Martin, i cili po rikuperohet pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Lajmi kryesor i ditës ishte rikthimi i Mark Markezit. Spanjolli u ngjit sërish në pistë pas 121 ditësh, që nga gara e Indonezisë më 5 tetor 2025. Ai provoi për herë të parë motorin “Ducati GP26”, duke u treguar fillimisht i kujdesshëm, por duke rritur ritmin me kalimin e xhirove. Momenti më i vështirë i mëngjesit ishte rrëzimi i Fabio Kuartararos në kthesën 5, vetëm pas 3 xhirove. Francezi u dërgua në klinikë dhe më vonë konfirmoi thyerjen e gishtit të mesit në dorën e djathtë, duke u tërhequr nga testet. Në të njëjtin vend pati një incident më të lehtë edhe debutuesi Diogo Moreira.
Skuadrat janë përqendruar kryesisht në testime aerodinamike, pasi motorët janë të ngrirë nga rregullorja. Dukati dhe Aprilia po punojnë më shumë në pjesën e përparme, ndërsa KTM në pjesën e pasme të motorit. Për sa u përket rezultateve, Aleks Markez dominoi sesionin e mëngjesit në një pistë ku tradicionalisht performon shumë mirë. Ndërsa pasdite, Mark Markez vendosi një xhiro shumë të fortë, pavarësisht një ndalese të shkurtër të motorit në kthesën 2, duke fiskuar kohën më të shpejtë të ditës së parë. Banjaja testoi një paketë të re aerodinamike, ndërsa e mbylli në vend të tetë. Kështu rikthimi i ’93’-shit u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme: në krye të tabelës së kohëve. Kështu Moto GP ka ndezur motorët dhe tashmë gradualisht është gati për sezonin e ri, aty ku favoriti i madh mbetet sërish Mark Markez.
© BalkanWeb