Müller: Gjermania ka shumë talente, por nuk është gati për ta fituar Botërorin
30 Janar 2026
15:30
Alfred Lleshi
Jeta e re e Thomas Müller në Amerikën e Veriut po ecën me ritëm të lartë. Që nga transferimi te Vancouver Whitecaps, 36-vjeçari ka pasur ndikim të menjëhershëm në kampionat, me 8 gola dhe 3 asistime në 12 paraqitje, duke ndihmuar skuadrën të ngjitet në vendin e dytë të MLS. Shifra që dëshmojnë një formë ende shumë të mirë, pavarësisht ndryshimit të kontinentit.
Në një intervistë për “Sky Deutschland”, kampioni i botës 2014 u ndal te kombëtarja dhe Botërori i ardhshëm në Amerikë. Müller vlerësoi të rinjtë: “Lojtarë si Musiala, Wirtz, nuk mund t’i përmend të gjithë, edhe Woltemade, janë jashtëzakonisht të talentuar, brilantë në veprime dhe tashmë mund të konsiderohen vendimtarë”.
Megjithatë, ai kërkoi kujdes: “Sidoqoftë, ende nuk mendoj se janë vërtet gati për titullin. Kemi potencial për të mundur këdo, por edhe për të humbur ndaj kujtdo. Kjo është ndjesia ime”. Sipas Müller, hapi vendimtar është vazhdimësia në nivelin më të lartë: “Shpresojmë të kemi jo vetëm lojtarë me potencial të lartë, por edhe figura kyçe në klubet më të mira ndërkombëtare, si Kimmich te Bayerni apo Rüdiger te Real Madridi”.