Mungoi në seancën për dosjen “Plumbi i artë”, Drejtoria e Burgjeve njofton GJKKO: Altin Ndoci u arratis, po e kërkon policia!
E gjithë vëmendja e Drejtorisë së Burgjeve dhe Policisë së Shtetit është tek arratisja e Altin Ndocit, një personazh i botës së errët të krimit, i cili arriti që t’i shpëtonte sigurisë dhe të largohej nga spitali i Durrësit.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar zyrtarisht Gjykatën e Posaçme për arratinë e Ndocit. Shkresa e DPB u lexua gjatë procesit gjyqësor të dosjes “Plumbi i artë”.
“Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Është shpallur në kërkim nga policia”, citoi gjykata shkresën e DPB.
Ndërkohë në lidhje me situatën, prokurorët e SPAK në sallën e gjyqit i kërkuan gjykatës t’i drejtohet me shkresë për informacion në lidhje me Altin Ndocin, nëse është i shpallur ose jo në kërkim prej saj.
© BalkanWeb