Na hoqe trurin!
Është një shprehje e thjeshtë shqiptare, e lindur nga nervi dhe pafuqia njëkohësisht. Kur dikush të ka çuar në kufijtë e durimit. Përshkruan më mirë se çdo statistikë një realitet të rëndë: një qeverisje që po ia heq trurin vendit të vet.
Raporti i BERZH-it, i paraqitur disa ditë më parë, konkludon se gjatë viteve 2023–2024, mbi 23% e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar nga Shqipëria, ndërsa vetëm 2–3% janë kthyer. Po sipas këtij raporti, Shqipëria renditet më keq në rajon për ikjen e trurit dhe po ashtu për rikthimin e tij.
Ikja e trurit nuk është thjesht pasojë e pagave të ulëta apo mungesës së vendeve të punës. Ajo ndodh kur s’ka perspektivë. Dhe perspektiva zhduket kur një shoqëri e kupton se ndryshimi është bërë i pamundur nëpërmjet votës.
Kush do ta kuptojë, e ka të qartë se për sa kohë shteti përdoret si instrument i një partie; për sa kohë korrupsioni shërben si mekanizëm pushteti; për sa kohë modeli ekonomik mbështetet te qarkullimi i parasë informale dhe kriminale; kur bandat dhe grupet kriminale kthehen në shtabe të qeverisë, zgjedhjet nuk mund të jenë as të lira dhe as të ndershme.
Pa zgjedhje reale, nuk ka rotacion politik.
Pa rotacion, pushteti mbetet i mbyllur dhe i pandëshkueshëm.
Në këto kushte, njerëzit ndihen të pafuqishëm. Dhe sovraniteti i tyre nuk vlen më. Dorëzohen, largohen.
Në vende të tjera të rajonit, profesionistët largohen, por edhe kthehen, sepse besojnë se sistemi mund të ndryshojë dhe se vota ka peshë. Në Shqipëri, largimi është pothuajse përfundimtar. Dhe kjo e bën dramatike situatën. Hendeku mes atyre që ikin dhe atyre që kthehen është ndër më të thellët në gjithë hapësirën e BERZH-it.
Një i ri i arsimuar e kupton se puna dhe aftësia nuk mjaftojnë; sepse karriera varet nga lidhjet, jo nga merita; se as ushtrimi i vullnetit të lirë nuk ndryshon asgjë. Atëherë pyetja nuk është më “A ia vlen të rri?”, por “Pse të rri?”.
Ikja e trurit, edhe pse instrumenti i fundit i shoqërisë pasi ka dështuar me përpjekjet e tjera, është reagim racional ndaj një sistemi të mbyllur. Edhe pse mund të duket si shpëtim për dikë, kjo nuk mund të jetë zgjidhja kolektive.
Ky realitet përzënës sot nuk është fat, as short, as se “kështu na ra”. Është rezultat qeverisjeje, por edhe rezultat heshtjeje. Ikja e trurit është dështim i pushtetit, por edhe alarm për shoqërinë. Një alarm për një Shqipëri që po shuhet.
Dhe si një trup në agoni drejt shuarjes, lind nevoja për një terapi elektroshok.
E cila mund të jetë e dhimbshme, por e domosdoshme për të shkundur një shoqëri që ka hequr dorë nga reagimi, duke i lënë terren sundimit, padrejtësisë dhe gjithë pasojave që kjo sjell.
Shqipëria duhet të ketë sërish një të ardhme. Kjo vjen kur gjithsecili prej nesh merr përgjegjësinë për të mos ia dorëzuar trurin, votën dhe shpresën një sistemi që i shpërfill. Kjo vjen kur secili prej nesh reagon fort dhe me shumë vendosmëri. Kur secili prej nesh prish rehatinë e ditës dhe nuk e këmben atë me të ardhmen që po na ikën para syve tanë çdo ditë.
© BalkanWeb