“Narkoshteti, vorbulla e zezë që po përpin shqiptarët”, Berisha: PD nuk mbështet ‘paqjen fiskale’!
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se PD nuk e mbështet ‘paqja fiskale’, të cilin ai e quajti amnistinë fiskale. Në një dalje për mediat, Berisha tha se me ketë lëvizje legalizohen paratë e pista të trafikut të drogës.
“Unë nuk mbështes amnistinë. PD nuk mbështet amnistinë në kuadrin ligjor që ka sjellë Edi Rama. Ky është qëndrimi i PD. Por nëse amnistia ndodh, ti nuk mund të përjashton. Se ai ka shkuar në gjykatë dhe tjetri nuk ka shkuar në gjykatë ti smund të përjashtosh. Unë nuk konceptoj se pse mund të përjashtohet ai që ka shkuar në gjykatë me këtë që ka shkuar në gjykatë, për të kërkuar një të drejtë. Nuk mund të jetë kurrë vetëm një kompani. Të garantoj se në gjykatë janë me qindra kompani.
Por në qoftë se ti hyn dhe fal ato të cilat nuk kanë shkuar në gjykatë dhe nuk kanë falë ato që kanë shkuar në gjykatë, të cilat të paktën pretendojnë se kanë një të drejtë dhe guxojnë të kërkojnë të drejtën e tyre, ti bën minimumi një pabarazi.
Por ne jemi absolutisht kundër këtij ligjor të amnistisë. E kemi deklaruar, të kësaj amnistie e cila fsheh kanalet e zeza të larjes së miliarda eurove nga klanet dhe kartelet e drogës. Ne jemi kategorikisht kundra. Në pamje të parë, kjo mund të duket se ne jemi kundër flukseve të parave. Jemi sepse është para toksise, është shkatërrimtare. Është faktuar që këto investime po shkatërrojnë ekonominë shqiptare. Si po e shkatërrojnë? Po e shkatërrojnë me një mekanizëm kryesor, dhe të tjerat pastaj, që është zhvlerësimi i euros. Nuk kam parë ndonjëherë në studiot televizive të bëhet një emision për zhvlerësimin e euros dhe pasojat e tmerrshme mbi ekonominë shqiptare. Zhvlerësimi i euros me 35% do të thotë humbja me 35% minimumi, i fitimit të të gjithë kompanive të eksporteve që punojnë me euro.
Do të thotë, rënie prodhimi në bujqësi, industri dhe rritje e madhe çmimesh.
Do të thotë shok ekonomik. Sot po lexoja. Merrni e lexoni pak të dhënat e inflacionit për muajin nëntor të INSTAT. Çfarë thoshin, u rrit çmimi i qirave.
Po mirë më thuaj pak, a ka paradoks më të madh që të rritet çmimi i qirave në një kohë kur, janë në shkallë vendi mbi 200 e ca mijë banesa bosh dhe në Tiranë mbi 60 mijë apartamente bosh.
Si mund të rritet çmimi në kushet normale, kur ka dhjetëra e mijëra banesa të pashitura. Çmimi rritet se tregu është në kthetrat e drogës. Ndaj rritet qiraja, ndaj rritet çmimi. Ndaj bie prodhimi, eksporti, shkatërrohen qindra e mijëra vende pune dhe ikin qytetarët.
Çështja e narkoshtetit në Shqipëri është çështje themelore, është vorbulla e zezë që po i përpin shqiptarët.
Është jashtëzakonisht e trishtueshme për mua, kur shof gjithë ato shkrime, dokumentarë të televizioneve më serioze të botës për narkoshtetin në Shqipëri dhe nuk ka një media shqiptare që të ketë një dokumentar të tillë.
Nuk ka një gazetar që të bëjë një hetim dhe të dokumentojë e faktojë pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit në Shqipëri…
Janë në një sintoni, Bardhi me propozimin e tij ngrihet kundër një pabarazie që ngre ligji. Pabarazi. Por ne nuk e dimë atë, nuk mund të paragjykosh atë, që kanë shkuar në gjykata. Ata që kanë shkuar në gjykata, mund të jenë publike, private mund të jenë të shumëllojta.
Ata kanë kundërshti me shtetin. Në masën 90-95% kanë shkuar në gjykata për kundërshtirat që kanë me shtetin.
Kur ti përjashton ata që nuk i janë adresuar gjykatës dhe përjashton këta që i janë drejtuar gjykatës, të cilët të paktën pretendojnë se u është bërë një padrejtësi ndaj tyre, dhe amniston ata që nuk shkojnë në gjykatë, kjo për mua është një gjë absurde.
Përsa i përket deputetit Bozdo, unë e përgëzoj atë sepse ato janë të gjitha pasuri publike të shpërndara nga Edi Rama jashtë të gjitha kritereve ligjore, vetëm favore për korrupsion.”, tha ai.
© BalkanWeb