NASA: Shkencëtarët regjistrojnë për herë të parë tingujt e rrufeve në Mars
Shkencëtarët besojnë se kanë regjistruar për herë të parë aktivitet elektrik në atmosferën e Marsit, një zbulim që sugjeron se planeti i kuq është i aftë të prodhojë rrufe. Të dhënat vijnë nga roveri Perseverance i NASA-s, i cili prej vitit 2021 eksploron kraterin Jezero në kërkim të gjurmëve të jetës së dikurshme.
Instrumenti SuperCam i roverit regjistroi sinjale akustike dhe elektromagnetike të cilat studiuesit i kanë cilësuar si “goditje mini-rrufeje”. Zbulimi ka nxitur shpresat që në Mars të dërgohen pajisje edhe më të avancuara për matjen e shkarkimeve atmosferike, si edhe kamera me ndjeshmëri më të lartë për të vërtetuar fenomenin vizualisht.
Analiza e gjetjeve
Një ekip kërkuesish nga Franca analizoi 28 orë regjistrimesh të mbledhura nga Perseverance gjatë dy viteve marsiane (1,374 ditë tokësorë). Ata zbuluan se shkarkimet elektrike shfaqeshin kryesisht brenda vorbullave të pluhurit, të formuara nga ajri i ngrohtë që ngrihet nga sipërfaqja e planetit. Lëvizjet e tyre të brendshme duket se krijojnë kushtet për grumbullim dhe shkarkim të energjisë elektrike.
Autori kryesor i studimit, Dr. Baptiste Chide, tha për Reuters se:
“Këto përbëjnë një zbulim të rëndësishëm, me implikime të drejtpërdrejta për kiminë atmosferike, klimën, banueshmërinë e Marsit dhe të ardhmen e eksplorimit robotik dhe njerëzor”, tha ai.
Sipas tij dhe kolegëve të tij në Institutin për Kërkime në Astrofizikë dhe Planetologji në Francë, Marsi tashmë mund të renditet mes planetëve me aktivitet elektrik atmosferik të njohur, bashkë me Tokën, Saturnin dhe Jupiterin.
Megjithatë, debate shkencore ende ekzistojnë. Fizikani Dr. Daniel Pritchard, në revistën Nature, theksoi se edhe pse regjistrimet ofrojnë prova bindëse për shkarkime të shkaktuara nga stuhitë e pluhurit, fakti që ato vetëm janë dëgjuar dhe nuk janë parë, nënkupton se do të mbeten disa dyshime nëse këto janë vërtet vetëtima në Mars.
“Duke pasur parasysh historinë e kësaj fushe, debati ka të ngjarë të vazhdojë për ca kohë,” shtoi ai.
Një planet dikur më i ngrohtë dhe më i lagësht
Sot Marsi është një shkretëtirë e ftohtë dhe e thatë, por provat gjeologjike sugjerojnë se miliarda vjet më parë ai kishte atmosferë më të dendur dhe ujë të rrjedhshëm, duke e bërë një kandidat të rëndësishëm për kërkimin e jetës së lashtë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb