“Ne duhet të shkojmë përtej vetes, të jemi të vërtetë dhe të qartë”, Salianji: Rama nuk rrëzohet duke qarë. 2 rrugët si PD mund të fitojë zgjedhjet
Anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji, gjatë fjalës së mbajtur në takimin me strukturat e PD në Elbasan, kërkoi mobilizimin e demokratëve për t’u ringritur në protesta masive dhe revoltë me qëllim paralizimin e jetës politike.
Salianji tha se kjo është njëra rrugë për rrëzimin e qeverisë, ndërsa rruga tjetër është lufta për votën, duke frymëzuar njerëzit që të tejkalojnë manipulimin që Rama ka ngritur në sistem nga zgjedhjet në zgjedhje.
Ervin Salianji: E them qartë, Rama dhe PD ka dy rrugë si rrëzohet, me protesta masiva dhe revoltë që të paralizojnë jetën politike të këtij vendi ose tek kutitë e votimit duke bindur dhe frymëzuar aq shumë njerëz sa ta tejkalojmë manipulimin që Rama ka ngritur në sistem nga zgjedhjet në zgjedhje. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të çojmë në këmbë popullin opozitar, që t’i dëgjojmë demokratët qoftë edhe një të vetëm që të mos shqetësohemi nga zëri i demokratëve që kërkojnë fitore.
Ne duhet të shkojmë përtej vetes, të jemi të vërtetë dhe të qartë. T’i çojmë demokratët dhe qytetarët në kutitë e votimit dhe sheshet e Shqipërisë. Kjo nuk ndodh duke qëndruar duke qarë. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes një ndryshimi thelbësor në strategjinë e përfaqësimit, në respektimin e parimeve dhe normave, me respektimin e anëtarësisë. Këtu ka dhjetëra përfaqësues që nuk kanë patur mundësi të promovohen se nuk ka parime në disa promovime.
© BalkanWeb