Newey paralajmëron rivalët: Makina që do të garojë në Melburn do të jetë ndryshe nga ajo që pamë në teste
5 Shkurt 2026
12:07
Telesport
Shfaqja e parë publike e Aston Martin, që do të garojë këtë sezon të Formula 1, ka ngjallur kuriozitet të madh. Pjesa e pasme tërhoqi menjëherë vëmendjen, por një vështrim më i afërt zbulon se pjesa e përparme është zona më ekstreme.
Adrian Newey, “babai” i AMR26, shpjegoi në një intervistë se ajo që u pa në testet e para zyrtare në Montmelò është vetëm fillimi. Ai tha se makina që do të dalë në pistën e Melburn do të jetë shumë e ndryshme nga ajo e testeve në Katalonjë.
“Ne u përpoqëm të ndërtonim diçka që shpresojmë të ketë potencial të konsiderueshëm zhvillimi. Ishte e rëndësishme të shmangej projektimi i një makine që mund të ishte ‘e saktë’ për sa i përket kohës së ndërtimit, por me pak potencial zhvillimi“, tha Adrian Newey.
“Kjo ishte një garë me kohën, sepse makina mori formë në javët e fundit. Nuk ishte e lehtë për inxhinierët mekanikë të pranonin sfidat që shtrova, por ishte e rëndësishme të ishim në gjendje ta bënim makinën sa më kompakte të ishte e mundur”, tha projektuesi i njohur.
“Ne u përqendruam shumë në bazat, duke e shtyrë veten deri në limit, duke ditur se disa shtesa, si krahët e karroceria mund të modifikohen gjatë sezonit. Shpresojmë të kenë potencial të mirë zhvillimi“, tha Newey.
“Makina që do të garojë në Melburn do të jetë shumë e ndryshme nga ajo që pamë në testet e Barcelonës dhe ajo me të cilën do ta përfundojmë sezonin në Abu Dhabi do të jetë shumë e ndryshme nga ajo me të cilën do ta fillojmë”, shtoi Newey.