Nga diskutimet për mbrëmjen Gala dhe Topin e Artë, e deri tek intervista e Myrto Uzunit. Gjithçka ndodhi në episodin e 11-të “Në Shtëpinë e Futbollit”
17 Dhjetor 2025
18:31
Telesport
Në emisionin e 11-të të “Në Shtëpinë e Futbollit”, i transmetuar çdo të mërkurë live në FSHF TV, u diskutua gjerësisht për Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, eventi madhështor i futbollit shqiptar që u zhvillua të hënën në TKOB, ku u vlerësuan më të mirët e vitit 2025 në Abissnet Superiore, futbollin e vajzave dhe disa çmime të dedikuara për Kombëtaren shqiptare.
Nën moderimin e Lenida Halilaj, në studio ishin specialisti i futbollit Florian Riza dhe gazetarët sportivë Trevisa Tufa dhe Gjergji Xharo. Pjesa e parë u fokusua te çmimet kryesore të mbrëmjes, ku Bekim Balaj për të dytin vit radhazi fitoi “Topin e Artë 2025”. Sulmuesi i Vllaznisë ndau emocionet e tij gjatë lidhjes live për këtë mbrëmje të veçantë.
Më pas, të ftuarit diskutuan për të gjithë fituesit e mbrëmjes nga kampionati Abissnet Superiore, futbolli i vajzave dhe Kombëtarja shqiptare.
Në pjesën e dytë të emisionit u analizuan paraqitjet e lojtarëve të Kombëtares gjatë fundjavës me klubet e tyre respektive. Ernest Muçi dhe Arbër Hoxha vazhdojnë të shkëlqejnë në Turqi dhe Kroaci, ndërsa u diskutuan edhe golat, asistet dhe paraqitjet e Jasir Asanit, Qazim Laçit, Kristjan Asllanit, Ardian Ismajlit dhe Armando Brojës.
Gjithashtu, u transmetua një intervistë ekskluzive me Myrto Uzunin, i cili foli për vitin 2025 me Kombëtaren, objektivat e arritura, ndeshjen ndaj Polonisë në play-off dhe kundërshtarin e mundshëm Ukrainë/Suedi në finalen e play-off-it, si dhe shortin e Botërorit 2026.
Emisioni përfshiu edhe Kampionatin Kombëtar PAK, i zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” me 6 skuadra nga disa qytete të Shqipërisë. Ky kampionat synon të promovojë përfshirjen, të rrisë vetëbesimin dhe të krijojë mundësi të barabarta për personat me aftësi të kufizuara, duke u mundësuar atyre të shprehin talentin e tyre në sport.