Nga forcimi i mbrojtjes, te investimet amerikane, Peleshi takon zv.sekretarin e Shtetit të SHBA-ve
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u prit në Uashington nga Michael Rigas, zëvendëssekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, në një takim të zhvilluar në Departamentin Amerikan të Shtetit. Takimi u përqendrua në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Gjatë bisedimeve u theksua roli i Kuvendit në avancimin e reformave, forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, si elementë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe përparimin euroatlantik. Një vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe angazhimit të përbashkët në kuadër të NATO-s për përballimin e sfidave rajonale dhe globale. Palët riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në garantimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Në fokus të takimit ishin gjithashtu investimet amerikane në sektorë strategjikë, me theks te energjia, infrastruktura dhe teknologjia, si një shtyllë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.
Diskutimet përfshinë edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me vëmendje të veçantë ndaj Kosovës, ku u nënvizua nevoja për stabilitet, dialog dhe bashkëpunim rajonal si faktorë thelbësorë për paqen dhe sigurinë afatgjatë. Takimi në Uashington konfirmoi edhe një herë marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit strategjik në fusha me interes të përbashkët.
“Bisedë frytdhënëse me @nikopeleshi për ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë dhe më të begatë për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë për stabilitetin rajonal dhe global, forcimin e NATO-s, çmontimin e organizatave kriminale transnacionale dhe rritjen e mundësive për bizneset amerikane.”, shkruan Rigas në mesazhin e tij.
Fruitful conversation with @nikopeleshi on building a stronger and more prosperous future for the United States and Albania. We will continue our work with Albania on regional and global stability, strengthening NATO, dismantling transnational criminal organizations, and… pic.twitter.com/T68wJx34b4
— Michael J. Rigas (@DepSecStateMR) February 5, 2026
© BalkanWeb