Nga intervista e Xhakës te vendimet kyçe të KE të FSHF, ja çfarë ndodhi “Në Shtëpinë e Futbollit”
14 Janar 2026
19:42
Telesport
Puntata e 13-të e emisionit të përjavshëm “Në Shtëpinë e Futbollit”, që transmetohet live në FSHF TV, solli sot një panoramë të plotë dhe gjithëpërfshirëse mbi rikthimin e futbollit shqiptar në gjysmën e dytë të sezonit, vendimet kyçe të marra nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF, si edhe progresin e vazhdueshëm të investimeve infrastrukturore në fusha dhe stadiume në të gjithë vendin.
Nën moderimin e Lenida Halilaj dhe me të ftuarin e përhershëm Florian Riza, emisioni pati gjithashtu pjesëmarrjen e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Abdyl Kuriu, si dhe gazetarit sportiv Gerti Çarçani, të cilët sollën analiza dhe komente mbi zhvillimet më të fundit në futbollin shqiptar.
Në pjesën e parë të emisionit u trajtuan çiftet çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë, pas shortit të hedhur një ditë më parë në “Shtëpinë e Futbollit”, si dhe rinisja e kampionatit “Abissnet Superiore”, duke u ndalur te dinamika e garës për titull dhe objektivat e skuadrave në luftën për mbijetesë.
Në vijim, u transmetua një intervistë ekskluzive me ish-lojtarin e Kombëtares, Taulant Xhaka, i cili ndau vlerësimet e tij për ecurinë e ekipit kombëtar dhe u shpreh optimist për mundësitë e Shqipërisë drejt kualifikimit në Kampionatin Botëror 2026.
Një fokus i veçantë iu kushtua vendimeve të fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF, përfshirë mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 15 shkurt, si edhe propozimeve të shoqatave rajonale për kandidaturën e Presidentit Armand Duka për një mandat të shtatë, si dhe kandidaturave të Edmond Hasanbellit dhe Blendi Fevziut për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme.
Si pjesë e pandashme e emisionit, u pasqyruan edhe investimet e vazhdueshme të FSHF-së në infrastrukturën sportive, duke evidentuar projektet në stadiumin e Vorës, aneksin në stadiumin “Niko Dovana” dhe punimet në stadiumin “Shefqet Lamçe”, investime që konfirmojnë angazhimin e Federatës për zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit shqiptar.