Nga një dhomë konvikti në Harvard te rrjeti social që ndryshoi botën, historia e Facebook që krijoi Mark Zuckerberg
Dimri në Kembrixh të Masaçusetsit nuk fal, por mes studentëve të mbështjellë me xhaketa të trasha në kampusin e Harvardit, një figurë binte në sy. Një student me pantallona të shkurtra, çorape të bardha dhe shapka, që ecte pa u shqetësuar në dëborë. Për disa ishte një pamje e çuditshme, për të tjerë thjesht Mark Zuckerberg.
I vetmuar, i apasionuar pas kompjuterëve që në fëmijëri dhe i zhytur për orë të tëra pas ekranit, Zuckerberg po hidhte themelet e asaj që do të bëhej një nga sipërmarrjet më të fuqishme në historinë moderne. Momenti vendimtar erdhi kur, pas një bisede të zakonshme me një mik, ai u kthye në dhomën e tij të konviktit dhe shtoi elementët e fundit në faqen që kishte ndërtuar prej kohësh. Kur shoku i tij Eduardo Saverin hyri në dhomë, Zuckerberg i tha vetëm dy fjalë: “Tani është gati.” Më 4 shkurt 2004, ai shtypi butonin që ngarkoi në internet “The Facebook”, pa e ditur se po ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si njerëzit do të komunikonin.
Vetëm dy vjet e gjysmë më vonë, Yahoo ofroi 1 miliard dollarë për të blerë platformën. Zuckerberg refuzoi, duke besuar se potenciali i saj ishte shumë më i madh. Koha i dha të drejtë.
Në fazat e para, bashkëthemelues të Facebook ishin Dustin Moskovitz, Chris Hughes dhe Eduardo Saverin, i cili luajti rol kyç në financimin e projektit. Një kthesë e rëndësishme ndodhi kur Zuckerberg u njoh me Sean Parker, themeluesin e Napster, i cili e bindi ekipin të transferohej në Palo Alto dhe sugjeroi heqjen e fjalës “The” nga emri i platformës. Investime të rëndësishme nisën të vinin, përfshirë 500 mijë dollarë nga Peter Thiel i PayPal. Brenda pak muajsh, Facebook kaloi një milion përdorues aktivë. Në vitin 2007, Microsoft pagoi 240 milionë dollarë për 1.6% të aksioneve të kompanisë.
Suksesi shoqërohej edhe me konflikte. Eduardo Saverin u largua nga kompania pas përplasjeve të forta ligjore me Zuckerberg, të cilat përfunduan në vitin 2009 me një marrëveshje konfidenciale jashtë gjykatës. Saverin mbeti i njohur zyrtarisht si bashkëthemelues, ndërsa shuma që përfitoi nuk u bë kurrë publike. Facebook u përball gjithashtu me padi nga vëllezërit Winklevoss, të cilët akuzuan Zuckerberg për vjedhje të idesë së ConnectU. Çështja u mbyll me një marrëveshje prej 65 milionë dollarësh. Ndërkohë, rrjeti social u shndërrua në një fenomen global. Në vitin 2011, Facebook luajti rol kyç në përhapjen e mesazheve të “Pranverës Arabe”. Në vitin 2012, kompania bleu Instagram për 1 miliard dollarë dhe u bë publike në bursë, duke mbledhur 16 miliardë dollarë. Po atë vit, Zuckerberg u martua me Priscilla Chan. Në vitet që pasuan, Facebook kaloi një miliard, më pas dy miliardë përdorues aktivë, ndërsa në vitin 2014 bleu WhatsApp për 22 miliardë dollarë. Por suksesi u trondit rëndë nga skandali i Cambridge Analytica. U zbulua se të dhënat personale të rreth 87 milionë përdoruesve ishin përdorur pa pëlqimin e tyre për qëllime politike, përfshirë fushatën presidenciale të Donald Trump në vitin 2016. Hetimet zbuluan gjithashtu se kompani të mëdha teknologjike kishin pasur akses të privilegjuar në të dhënat e përdoruesve.
Zuckerberg u thirr të dëshmonte dhe Facebook u përball me kritika globale për shkelje të privatësisë. Megjithatë, kompania vazhdoi të operojë në shkallë gjigante, me qendra të mëdha të dhënash, përfshirë “Facebook Farm” në Rrethin Arktik në Suedi, ku miliona serverë përpunojnë çdo sekondë mesazhe, foto dhe video nga miliarda përdorues. Nga një dhomë e vogël në Harvard, Facebook u shndërrua në një platformë që ka ndikuar thellësisht në jetën, komunikimin dhe shoqërinë globale, me të gjitha sukseset, dilemat dhe pasojat që kjo sjell.
© BalkanWeb