Ngecën ndaj Tottenham, “shpërthen” Rodri: Në Anglia duan të fitojë Arsenal (VIDEO)
Man.City ngec në transfertë përballë Tottenham, një “X” 2-2 për të cilin feston shumë Arsenal. Falë këtij asisti nga “gjelat”, ekipi i Artetas “arratiset” në krye të Premier League, +6 pikë në raport me “qytetarët”. City krijoi iluzionin se do ta zgjidhin lehtë këtë transfertë në një kohë kur kaluan dy herë në avantazh brenda pjesës së parë. Cherki realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 11-të, ndërsa në fundin e pjesës së parë ishte Semenyo që dyfishoi shifrat, i shërbyer në zonë nga Silva.
Situata ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë me Tottenham që mori kontrollin e lojës. Në minutën e 53-të ishte Solanke që ngushtoi shifrat në 1-2. Sulmuesi anglez u shndërrua në protagonist kryesor duke realizuar një gol shumë të bukur, sigurisht edhe me shumë fat në minutën 70-të duke barazuar shifrat në 2-2. Man.City tentoi në çdo formë deri në fund të ndryshonte sërish rrjedhën e këtij takimi, por pa sukses.
Pas ndeshjes, Pep Guardiola nuk e hodhi poshtë pikën e marrë në këtë transfertë, ndërsa shumë i ashpër ishte Rodri, me mesfushorin spanjoll që hodhi akuza të forta ndaj arbitrave: “Kjo ishte ndeshja e dytë ose e tretë radhazi që arbritrat ndikojnë. Mendoj se Premier League dëshiron të këtë vit të fitojë Arsenal. Mbase janë mërzitur duke parë Man.City të fitojë në 10 vitet e fundit. Kjo nuk është e drejtë, arbritrat duhet të jenë neutral”, u shpreh Rodri.
© BalkanWeb