“Nuk e shikoj veten tek asnjëri”, Nadal për Sinner dhe Alcaraz: Njëri është i paparashikueshëm, ndërsa tjetri…
26 Dhjetor 2025
15:31
Telesport
Ai ka mbetur në botën e tenisit falë Akademisë së tij, por pak më shumë se një vit pas tërheqjes, Rafa Nadal duket shumë larg botës që dikur e shihte si një nga lojtarët më të suksesshëm në histori.
“Është një ndryshim jete që nuk e kam ndjerë shumë”, pranon ai në një intervistë me AS. “Ka kaluar vetëm një vit, e kam pranuar këtë jetë të re dhe e kam shijuar. Nuk e kaloj jetën time të përditshme duke menduar për tenisin. Natyrisht, falë Akademisë sime, e përjetoj çdo ditë, por nga një perspektivë krejtësisht e ndryshme”.
Për Alcaraz dhe Sinner: “Nuk identifikohem as me njërin dhe as me tjetrin”, pranon Nadal. “Ata janë lojtarë të ndryshëm nga unë. Mendoj se Alcarazi është më i paparashikueshëm: ai bën më shumë gabime, luan më shumë pikë spektakolare dhe ndonjëherë nuk ka një stil loje kaq të përcaktuar, gjë që e bën atë të paparashikueshëm dhe argëtues për spektatorët.
“Sinner është një lojtar më metodik dhe i fokusuar, me një stil loje më të përcaktuar dhe shton elementë pak nga pak, prandaj është kaq i fortë dhe humbet shumë pak ndeshje.
“Ndonjëherë duket sikur Alcaraz është i shpërqendruar, por kur shikon rezultatet… ai ka pasur një vit tepër të qëndrueshëm dhe të fortë në të gjitha turnetë e mëdha. Kjo është arsyeja pse më vjen të qesh kur njerëzit thonë se ai është i shpërqendruar: rezultatet thonë të kundërtën, ky është këndvështrimi im”.