“Nuk i shpenzova paratë nëpër diskoteka”; Uzuni sqaron kritikët: Familja është mbi gjithçka!
9 Dhjetor 2025
14:20
Alfred Lleshi
Myrto Uzuni është rikthyer në qendër të vëmendjes mediatike, por këtë herë jo për golat apo paraqitjet në fushë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u komentua gjerësisht në rrjetet sociale pas publikimit të disa pamjeve nga dasma e motrës së tij, ku shihet duke hedhur shumë para gjatë festës. Një moment gëzimi familjar që u interpretua ndryshe nga një pjesë e opinionit publik dhe u shoqërua me kritika, duke e cilësuar gjestin si të tepruar dhe pa etikë.
Përballë reagimeve, futbollisti beratas vendosi të flasë hapur. Me një mesazh të drejtpërdrejtë në Instagram, Uzuni sqaroi se veprimi i tij nuk kishte lidhje me mendjemadhësinë apo shpërdorimin, por ishte thjesht shprehje emocionesh në një ditë të rëndësishme familjare. Ai theksoi se prioriteti i tij mbetet familja dhe e ardhmja e saj, ndërsa nënvizoi se paratë nuk janë shpenzuar për luks, por për gëzim dhe bashkim familjar.
Ja mesazhi i plotë i Myrto Uzunit:
“Sqarim.
Familja Nr. 1
Videoja e hedhjes së lekëve ishte thjesht një moment gëzimi për motrën time. E di që gjithmonë ka shumë keqkuptime, por unë jam ai që kam qenë, sot kam arritur t’ia siguroj familjes të ardhmen, Faleminderit Zotit!
Nuk i shpenzova lekët në diskoteka duke hapur shisha. Do të ketë njerëz që gjejnë arsye për të folur. Edhe po të mos kisha hedhur, dikush do të kishte komentuar. Pra, çfarëdo që të bësh, nuk mund t’i kënaqësh të gjithë.
Unë vetëm bëra atë që ndjeva dhe nuk ka asgjë për t’u keqkuptuar. Faleminderit atyre që e kuptojnë dhe e respektojnë gëzimin e familjes! Gëzime paçi në familjet tuaja! Me respekt, familja Uzuni”.