“Nuk jam vetëpërjashtuar dhe nuk mund të më përjashtojnë nga PD”, Salianji: Term i përdorur nga ata që kanë frikë dhe ndjejnë rrezik për pozicionin
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka reaguar ndaj deklaratave të lidershipit të PD-së që e kanë cilësuar atë si të “vetëpërjashtuar”, në kohën kur ai ka nisur një lëvizje me demokratët në të gjithë Shqipërinë.
Salianji e cilësoi “vetëpërjashtimin” si një term politik të përdorur nga ata që, sipas tij, janë të frikësuar dhe të konfuzuar përballë një lëvizjeje që rrezikon pozicionet e tyre.
“Vetëpërjashtimi është një term që përdoret kur ke frikë të madhe, konfuzion dhe je trembur nga një lëvizje që të rrezikon pozicionin. Statuti i PD-së, për shkak të problemeve të mëparshme, e ka hequr përjashtimin. Nuk përjashtohesh nga PD nëse nuk ka një akt formal, qoftë edhe nga kryetari. Vetëpërjashtimi është kur ikën vetë nga diçka. Unë as jam vetëpërjashtuar, as më përjashtojnë dot”, u shpreh ai.
Sipas Salianjit, ky është një term i përdorur për të çoroditur demokratët dhe për të shmangur problemet reale brenda partisë.
“Ky është një term për të çoroditur demokratët. Duket sikur është lënë një manual nga ish-kryetari i partisë. Basha përjashtoi Berishën dhe thoshte se takimet e tij i organizonte krimi dhe se i shërbenin qeverisë. I njëjti manual po përdoret sot edhe për mua”, tha ish-deputeti.
Ai theksoi se askush nuk mund të përjashtohet nga PD vetëm pse takon strukturat dhe anëtarët e partisë.
“Si mund të përjashtohesh se takon demokratët? Cili nen i statutit të ndalon të takosh demokratët? Partitë politike kanë si qëllim të takojnë njerëz”, deklaroi Salianji.
Në fund, ai u shpreh se nuk është në këtë lëvizje për interesa personale, por për të ngritur problemet reale të Partisë Demokratike dhe për ta bërë atë fituese.
“Unë e kam treguar se përfaqësoj PD-në sepse kam fituar në zgjedhje kundër qeverisë dhe kam mbajtur kosto personale. Dua që PD të jetë fituese. Edhe pse kisha hapësira në lidership, jam këtu për të ngritur problemet e partisë”, përfundoi Salianji.
© BalkanWeb