Nuk kanë marrë pagesën e premtuar nga qeveria, personat me aftësi të kufizuara protestë në Lezhë
Mosmarrja e shpërblimit të fundvitit, të akorduar nga qeveria shqiptare, ka nxjerrë në protestë personat me aftësi të kufizuar në qytetin e Lezhës.
Që në orët e para të mëngjesit, ata janë mbledhur para ambienteve të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë, duke kërkuar marrjen e pagesës së premtuar.
Protestuesit shprehen se ndodhen në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se mungesa e këtij shpërblimi i pamundëson të përballojnë shpenzimet për festën e ndërrimit të viteve.
Nga ana tjetër, përfaqësues të filialit të Postës bëjnë me dije se fondet ende nuk janë lëvruar nga Thesari i Shtetit, çka ka sjellë edhe krijimin e kësaj situate.
Ata theksojnë se pagesat do të kryhen menjëherë sapo fondet të kalojnë në dispozicion të Postës.
© BalkanWeb