Oficerë të lartë të Forcave të Armatosura Kolumbiane pezullohen për rrjedhje informacioni te rebelët
Një oficer i lartë ushtarak kolumbian dhe kreu i agjencisë së inteligjencës së vendit, të cilët përballen me një hetim të dyfishtë – nga prokurorët dhe drejtësia ushtarake – për dyshimin se i kanë zbuluar informacione të ndjeshme një udhëheqësi rebel , u lanë në pushim të enjten, me urdhër të prokurorit të përgjithshëm.
Dokumentet e publikuara nga media të dielën tregojnë gjeneralin Miguel Huertas dhe shefin e inteligjencës Wilmar Mejia duke ndihmuar rebelët të lëvizin me automjete të blinduara, të mbajnë armë dhe të shmangin pikat e kontrollit.
Udhëheqësi i një grupi ish-disidentësh të FARC-ut që sfidojnë një marrëveshje paqeje të vitit 2016 aktualisht po zhvillon bisedime paqeje me qeverinë e presidentit socialdemokrat Gustavo Petro, por ka pasur pak përparim.
Në korrik 2024, autoritetet e arrestuan atë dhe militantë të tjerë, por më vonë i liruan për shkak të rolit të tyre në negociata.
Gjatë operacionit, u sekuestruan “pajisje elektronike, telefona celularë dhe kompjuterë”, të cilët, sipas një raporti nga rrjeti Caracol, përmbanin biseda me oficerë të lartë.
Të hënën, Presidenti Petro mohoi çdo lidhje midis shërbimit të inteligjencës dhe hierarkisë ushtarake dhe rebelëve.
Burimi i raportit kontrovers “është CIA, e cila ka zakon të krijojë rrjete për të ndikuar në opinionin publik sipas interesave të qeverisë së saj në të gjithë botën”, tha Petro nëpërmjet X.
Skandali shpërtheu ndërsa Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion të madh mbi qeverinë e zotit Petro, duke e gjykuar atë se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar trafikun e drogës në vendin që renditet i pari në botë për sa i përket prodhimit të kokainës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar, pa paraqitur asnjë provë, Gustavo Petron se është një “lord droge”; qeveria e tij i ka hequr Kolumbisë certifikimin e saj si aleat në luftën kundër trafikut të drogës, duke i prerë kështu miliona dollarë ndihmë nga Uashingtoni për Bogotën.
Presidenti kolumbian dhe të afërmit e tij janë sanksionuar gjithashtu nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb