“Opozita nuk është alternativë sepse ofron Berishën”, Shehi: Protestat nuk mjaftojnë, forcat e reja duhet të ishin bashkuar
Ish-deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke u ndalur te situata brenda opozitës, roli i protestave dhe mungesa e një alternative bindëse për qytetarët.
Shehi u shpreh se protestat janë një mjet i rëndësishëm i demokracisë, por sipas tij ato nuk mund të zëvendësojnë veprimin politik institucional. “Unë jam për protestat, janë një armë e demokracisë, por nuk është e mjaftueshme. Opozitë nuk bëhet vetëm me protestat, bëhet në Parlament, në media, me ndërkombëtarët”, deklaroi ai, duke shtuar se protesta në Shqipëri ka “rrëshqitur” nga funksioni i saj real.
Sipas ish-deputetit, gabimi kryesor i opozitës ka qenë mungesa e bashkimit mes forcave alternative. Ai theksoi se përçarja ka sjellë humbje të konsiderueshme votash dhe ka dobësuar ndikimin politik të opozitës. “Nëse nuk puqen të gjitha forcat alternative ndaj Berishës, opozita nuk prodhon vota dhe sakrifikon me mijëra prej tyre. Nëse do ishin të gjithë bashkë, do të kishin rreth 200 mijë vota, që do të përktheheshin në 20 deputetë dhe një sinergji politike”, u shpreh Shehi.
Në analizën e tij, Shehi vuri në dukje se qytetarët nuk shohin një alternativë reale te opozita, pasi sipas tij ajo vazhdon të ofrojë Sali Berishën si zgjidhje politike. “Njerëzit nuk shohin alternativë te opozita. Opozita i sjell Berishën si alternativë, dhe ai nuk ka kohën me vete. Nuk e përsërit dot as për shkak të moshës dhe as për faktin se për herë të tretë kërkon të vijë në pushtet, me ngarkesa nga qeverisjet e mëparshme”, përfundoi ai.
© BalkanWeb