Pamje tronditëse! Pedofili ekzekutohet në rrugë disa orë pasi u lirua nga burgu, kishte përdhunuar një 9-vjeçar dhe… (VIDEO)
Një 46-vjeçar, i identifikuar si Joao Ferreira da Silva, u vra më pak se 24 orë pasi ishte liruar nga burgu, ku po vuante një dënim me 42 vjet për përdhunimin dhe vrasjen e një fëmije 9-vjeçar.
Ngjarja ndodhi më 10 dhjetor, në mes të ditës, në qytetin Sinop, në shtetin Mato Grosso të Brazilit. Sipas policisë, Ferreira da Silva u qëllua për vdekje nga dy burra të maskuar, të cilët u larguan nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Pamjet video nga incidenti tregojnë viktimën duke dalë nga një konvikt, kur brenda pak sekondash një burrë i armatosur, i veshur me kapelë bejsbolli të zezë, pulovër të errët dhe xhinse, i afrohet nga pas dhe i drejton armën. Ferreira da Silva kthehet nga sulmuesi dhe ngre duart në shenjë dorëzimi, ndërsa shtyhet përpara. Një person i dytë, gjithashtu i armatosur dhe me maskë në fytyrë, qëndron pranë ndërtesës për të mbajtur larg kalimtarët. Pak çaste më vonë dëgjohen disa të shtëna me armë zjarri.
Sipas raportimeve, 46-vjeçari u rrëzua në trotuar dhe ndërroi jetë në vend. Në vendngjarje policia gjeti tre gëzhoja plumbash.
Ferreira da Silva ishte dënuar në vitin 2005 për vrasjen e 9-vjeçarit Bruno Apareido dos Santos. Sipas dosjes gjyqësore, ai e kishte tërhequr fëmijën në një shtëpi në ndërtim e sipër, ku e kishte sulmuar, përdhunuar dhe vrarë, duke e varrosur trupin pranë vendit të ngjarjes.
Autori u arrestua 10 ditë më vonë, pasi tentoi të sulmonte një fëmijë tjetër. Megjithëse fillimisht e kishte pranuar krimin, më vonë Ferreira da Silva i tha gjykatës se nuk mbante mend nëse ishte përgjegjës.
Nëna e Brunos reagoi pas lajmit për vdekjen e tij, duke thënë se ndjeu një përzierje dhimbjeje dhe lehtësimi.
“Jam e lumtur, jo sepse djali im ka vdekur — ai nuk mund të kthehet më — por sepse ai nuk do të vrasë askënd tjetër. Asnjë fëmijë tjetër nuk do të vdesë për shkak të tij”, u shpreh ajo.
© BalkanWeb