Papunësia në ulje/ Eksperti Xhihani: Ka nevoja të shtuara për çdo profesion
schedule20:51 – 12 Dhjetor, 2025
Eksperti për punësimin, Arbër Xhihani thotë se papunësia në vend ka shënuar ulje.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Xhihani u shpreh se ka nevoja të shtuara për profesionistë.
“Në fakt, është e vërtetë. Rritja duket se është frenuar apo ka rënë në disa profesione, që kanë stopuar ecurinë e shpejtë të rritjes së pagave, e cila vërehej në fund të vitit 2024. Rritja në fundvit 2024 ishte e lidhur ndoshta edhe me një politikë, me rritjen e pagës së administratës shtetërore, çka vuri në presion edhe sektorin privat, për t’iu përgjigjur në të njëjtën mënyrë, edhe ndryshimit të pagave, e lidhur me rritjen e kostove të jetesës. Duket se kjo rritje është frenuar, por është e vazhdueshme. Vërehet se dita ditës ka nevoja të shtuara për çdo profesion në Shqipëri, çka përkthehet në mundësi negocimi nga ana e punëmarrësve për pagën e tyre, apo kur janë në kërkim të një vendi të ri pune. Ka një ulje të papunësisë në shkallë kombëtare. Normalisht, kjo është si pasojë e drejtpërdrejt e nevojës së shtuar për fuqi punëtore, edhe në kushtet ku jemi aktualisht, kemi nevoja shumë të shtuara nga ana e sipërmarrjes për punonjës, pavarësisht se nevoja e punësimit duhet të kuptohet se gjithmonë e më tepër plotësohen vakancat.”, theksoi ai./abcnews.al