Para dy ditësh u ndalua qarkullimi prej shembjes së gurëve/ Aksi Librazhd–Korçë i bllokuar gjatë natës për shkak të punimeve
Policia Rrugore e Elbasanit ka njoftuar se për shkak të punimeve që do të kryhen në aksin rrugor “Librazhd–Korçë”, në zonën e fshatit Dragostunjë, qarkullimi i automjeteve do të bllokohet përkohësisht gjatë orëve të natës.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi do të zbatohet nga data 3 shkurt 2026 deri më 5 shkurt 2026, në intervalin kohor 22:00 – 05:00. Gjatë këtyre orareve, aksi rrugor do të jetë i pakalueshëm për të gjitha mjetet, veçanërisht për automjetet e tonazhit të rëndë. Për këtë situatë janë njoftuar edhe pikat e kalimit kufitar, me qëllim informimin e drejtuesve të mjeteve.
Gjatë kohës së bllokimit do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë.
Si rrugë alternative për mjetet e vogla, autoritetet bëjnë me dije se do të shërbejë aksi “Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh”, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Kujtojmë se para dy ditësh në zonën e Dragostunjës një shembje masive e gurëve dhe dherave bllokoi qarkullimin në këtë aks për disa orë.
© BalkanWeb