Paralajmërimet e SHBA për sulme ndaj Iranit/ “Shkatërruesi” amerikan ankorohet në portin izraelit
“USS Delbert D. Black”, i njohur ndryshe edhe si shkatërruesi amerikan u ankorua në portin e Eilatit në Detin e Kuq të Izraelit mëngjesin e sotëm.
Kjo vjen pas një situate të tensionuar në Lindjen e Mesme dhe kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit.
Sipas ushtrisë izraelite, mbërritja e USS Delbert D. Black ishte planifikuar dhe është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis IDF dhe ushtrisë amerikane.
Në javët e fundit, SHBA-të kanë zhvendosur asete ushtarake në Lindjen e Mesme, duke rritur fuqinë e zjarrit dhe aftësitë mbrojtëse në rajon dhe duke i dhënë Trump mundësinë për të nisur një sulm ndaj Iranit, pas vrasjes së protestuesve nga regjimi.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha se ushtria amerikane është e gatshme të ndërmarrë çdo veprim që presidenti vendos të ndërmarrë.
Trump gjithashtu i ka bërë thirrje Iranit të kthehet në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor, duke kërcënuar se SHBA-të do të ndërmarrin veprime më të ashpra nëse nuk e bëjnë këtë. Teherani është përgjigjur se do të përgjigjet “menjëherë” nëse sulmohet.
© BalkanWeb