Pazari i madh për paqen në Ukrainë/ Çfarë po diskutojnë realisht SHBA dhe Rusia? Nga marrëveshjet miliardëshe deri te misioni i përbashkët në Mars me SpaceX-in e Musk-ut
Tre biznesmenë të fuqishëm, dy amerikanë dhe një rus, u ulën muajin e kaluar mbi një laptop në Miami Beach, zyrtarisht për të përgatitur një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Por, sipas burimeve të cituara nga Wall Street Journal, qëllimi i vërtetë ishte shumë më i gjerë: krijimi i një kanali të fshehtë për rikthimin e ekonomisë ruse në sistemin ndërkombëtar dhe sigurimi i një roli kryesor për kompanitë amerikane në projektet e ardhshme të investimeve.
Takimi zhvillohej në rezidencën buzë detit të miliarderit dhe të dërguarit të posaçëm të qeverisë amerikane, Steve Witkoff. Sipas njerëzve të njohur me bisedimet, aty po diskutohej diçka shumë më e madhe sesa një plan paqeje. Kirill Dmitriev, drejtuesi i fondit sovran rus dhe negociator i afërt i Vladimir Putinit, kishte kontribuar ndjeshëm në dokumentin që po hartohej.
Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump-it, kishte ardhur nga shtëpia e tij aty pranë, në zonën e njohur si “Billionaire Bunker”.
Sipas të njëjtave burime, bisedimet synonin një plan ambicioz për ri–integrimin e ekonomisë ruse, me vlerë 2 trilionë dollarë, në tregjet globale – me kompanitë amerikane të parat që do të përfitonin. Dmitriev promovonte idenë që rreth 300 miliardë dollarët e fondeve ruse të ngrira në bankat evropiane të përdoreshin për projekte të përbashkëta SHBA–Rusi, si dhe për një program amerikan për rindërtimin e Ukrainës.
Ai propozonte gjithashtu bashkëpunim në Arktik për nxjerrjen e mineraleve të rralla dhe madje nuk e përjashtonte një mision të përbashkët drejt Marsit me kompaninë SpaceX të Elon Musk-ut.
Për Kremlinin, takimet në Miami përfaqësonin kulmin e një strategjie të ndërtuar, sipas zyrtarëve perëndimorë, para inaugurimit presidencial të SHBA-së: të anashkalohej aparati tradicional amerikan i sigurisë kombëtare, duke paraqitur Rusinë jo si kërcënim ushtarak, por si një vend me mundësi të mëdha ekonomike.
Me projekte të mëdha energjetike dhe minerare, Moska synonte të ristilonte hartën ekonomike të Evropës dhe të thellonte ndasitë mes SHBA-ve dhe aleatëve evropianë.
Dmitriev, ish–ekzekutiv i Goldman Sachs, kishte gjetur mbështetje te Witkoff – bashkëpunëtor i vjetër i Trump-it – dhe te Kushner, fondi i të cilit kishte marrë miliarda investime nga vendet arabe. Qasja e tyre përputhej me filozofinë e Trump-it se krizat gjeopolitike mund të zgjidhen përmes marrëveshjeve ekonomike.
“Rusia ka burime gjigante dhe territore të pafundme. Nëse të gjithë përfitojnë, do të shmangen konfliktet e ardhshme,” tha Witkoff për WSJ-në.
Dalja në media e dokumentit 28-pikësh shkaktoi reagime të forta nga qeveritë evropiane dhe Ukraina, të cilat argumentuan se plani favorizonte Rusinë dhe binte ndesh me “vijat e kuqe” të Kievit.
Pavarësisht se zyrtarë amerikanë thanë se plani nuk është finalizuar, shqetësimet mbeten, veçanërisht ndërsa Rusia përfiton ekonomikisht megjithë agresionin e saj. Kryeministri polak Donald Tusk e përmblodhi qartë: “Ky plan nuk është për paqe. Është për biznes.”
Në Shtëpinë e Bardhë, disa zyrtarë e shohin lidhjen e interesave ekonomike me diplomacinë si mundësi.
Sipas një burimi, Rusia preferon kompanitë amerikane ndaj atyre evropiane, që “kanë folur përçmueshëm” për iniciativat e paqes. “Kjo është filozofia ‘Art of the Deal’ e Trump-it: ‘Shikoni, unë po arrij një marrëveshje të madhe me përfitime të mëdha për Amerikën’”, tha burimi.
Pyetja që mbetet është nëse Putin e sheh seriozisht këtë qasje apo thjesht kërkon të fitojë kohë për një luftë që e konsideron historikisht të rëndësishme.
Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë si Gennady Timchenko, Yuri Kovalchuk dhe vëllezërit Rotenberg, kanë dërguar përfaqësues për takime të fshehta me kompani amerikane, duke shqyrtuar marrëveshje në fushën e energjisë dhe minerareve, madje edhe ringjalljen e gazsjellësit Nord Stream 2.
Në frontin energjetik, Exxon Mobil ka zhvilluar bisedime me Rosneft-in për një rikthim të mundshëm në projektin Sakhalin. Investitorë të tjerë, si Todd Bailey dhe Elliott Investment Management, po shqyrtojnë blerjen e aseteve ruse ndërkombëtare që janë nën presion për shkak të sanksioneve.
Ndërkohë, rrethe pranë qeverisë amerikane po shqyrtojnë investime në projekte të LNG-së në Arktik, apo edhe në Nord Stream 2, me biznesmenin Steven Lynch që ka rritur ndikimin e tij lobues nëpërmjet bashkëpunëtorëve të Donald Trump Jr.
Nuk ka prova se Witkoff, Shtëpia e Bardhë apo Kushner po e drejtojnë ose koordinojnë këtë valë iniciativash. Witkoff, i cili pritet të udhëtojë për herë të gjashtë në Rusi këtë javë, tha se ukrainasit “kanë luftuar heroikisht për pavarësinë e tyre” dhe se “tani është momenti që këto arritje të sigurohen përmes diplomacisë”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se po mblidhen materiale nga Kievi dhe Moska për një plan paqeje. Ndërkaq, një zyrtar konfirmoi se Kushner dhe Witkoff janë takuar në Miami me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, dhe kanë folur edhe me presidentin Volodymyr Zelensky. Megjithatë, disa agjenci amerikane kishin informacion të pjesshëm për kontaktet e Witkoff-it.
Para samitit të gushtit në Alaska, ishte diskutuar madje një marrëveshje e madhe shkëmbimi të të burgosurve, pa informuar plotësisht CIA-n apo Departamentin e Shtetit. Pas samitit, shërbimet evropiane të inteligjencës shpërndanë një dosje me detaje rreth negociatave ekonomike SHBA–Rusi, duke habitur zyrtarë të lartë amerikanë.
Witkoff punon ngushtë me nënpresidentin J. D. Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ndërsa i dërguari i posaçëm për Ukrainën, gjenerali në pension Keith Kellogg, është lënë mënjanë dhe ka njoftuar largimin nga administrata.
Sipas reportazhit, po formohet një proces ku biznesmenë të fuqishëm po veprojnë paralelisht me diplomacinë zyrtare, duke kërkuar të lidhin paqen me projekte të mëdha ekonomike. Siç tha Witkoff: “Unë merrem me mbylljen e marrëveshjeve. Për këtë jam këtu. Do të vazhdojmë të trokasim dhe të propozojmë ide.”
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb