“PD duhet të bindë edhe Lapajn, Shehajn e Qorin”, Salianji: Qëllimi është rrëzimi i Ramës, tërhiqem nëse unë jam pengesë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për strategjinë që, sipas tij, opozita duhet të ndjekë për të fituar me votë kundër qeverisë Rama, në një kohë kur ai ka nisur një lëvizje me demokratët në të gjithë Shqipërinë.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Salianji theksoi se Partia Demokratike duhet të ndërtojë një front të gjerë opozitar, duke përfshirë edhe figura dhe forca që sot janë jashtë saj.
“Duhet të merren të gjithë ata që janë të përjashtuar. PD duhet të bindë edhe Qorin, Lapajn, Agron Shehajn. Kjo do të thotë që secili të tërhiqet nga disa qëndrime dhe ta pranojmë njëherë që kjo duhet bërë. Pse të mos realizohet?”, u shpreh ai.
Salianji deklaroi se është i gatshëm të bëjë edhe hapa pas nëse konsiderohet si pengesë për bashkimin e opozitës dhe për fitoren ndaj qeverisë.
“Unë tërhiqem nëse jam unë pengesë. Unë jam i gatshëm që për të rrëzuar Edi Ramën, ta bëjë një tjetër këtë dhe unë ta ndjek. Pyetja është: e bëjnë të tjerët këtë? A duam ta rrëzojmë Ramën apo secili do copën e vet? Unë jam për ta rrëzuar qeverinë”, theksoi ish-deputeti.
© BalkanWeb