Pedri dëmtohet në Pragë. Nuk duket gjë serioze, por mund të mungojë disa javë
22 Janar 2026
8:09
Alfred Lleshi
Me rezultatin 2-2 dhe pas një çerek ore lojë në pjesën e dytë, Pedri u detyrua të largohej nga fusha për shkak dëmtimi në ndeshjen e Champions League kundër Slavia Prague. Një goditje e ndjeshme për Hansi Flick dhe ekipin katalanas në një fazë vendimtare të sezonit.
Sipas kontrolleve të para, dëmtimi nuk duket i rëndë dhe zëvendësimi u bë për të shmangur përkeqësimin, megjithatë mesfushori mund të qëndrojë jashtë fushave për disa javë. Pedri u rrëzua në fushë me duart në kokë dhe stafi mjekësor, pas ekzaminimit, paralajmëroi për një problem muskulor, duke këshilluar largimin e tij.
Trajneri gjerman u shfaq i zhgënjyer, sidomos tani që kishte rikuperuar shumicën e lojtarëve të dëmtuar. Deri tani, Pedri ka munguar në 5 ndeshje; 2 në Champions League dhe 3 në La Liga, 4 për shkak të një çarjeje muskulore dhe një për probleme në pulpë.