“Për 4 vite jemi bashkë, kur vijnë zgjedhjet lidershipi bunkerizohet”, Salianji: Më të votuarit e listave janë përjashtuar! ‘Status quo’-ja jonë i shërben Ramës
Ervin Salianji, gjatë takimit me demokratët dhe mbështetësit e tij në Fier, theksoi nevojën për drejtësi dhe demokraci brenda Partisë Demokratike dhe në Shqipëri, duke kritikuar mënyrën se si lidershipi i partisë ka vendosur listat zgjedhore.
“Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propagandë, por për drejtësi; nuk ka nevojë për beton, por për shpresë. Nuk ka nevojë për pushtet, por për demokraci – Shqipëria dhe PD kanë nevojë për këtë,” tha Salianji.
Ai kritikoi vendimet e lidershipit të PD-së gjatë përpilimit të listave, duke theksuar se kontributet e demokratëve shpesh shpërfillen: “Si ka mundësi që për 4 vite jemi të gjithë bashkë, sakrificat i kemi bashkë, por kur vijnë zgjedhjet, lidershipi bunkerizohet dhe vendos listat duke përjashtuar ata që dalin të parët. Kjo ka ndodhur në Fier, Tiranë, Elbasan, Dibër dhe Kukës. Këto janë çudira që nuk duhet të ndodhin, sepse njerëzit dhe kontributet e tyre shpërfillen.”
Salianji shtoi se kjo situatë i shërben kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij preferon një status quo të dobët të opozitës: “Ne nuk kemi pushtetin e Rilindjes, as bandat që ka Edi Rama, por kemi mundësinë ta bëjmë partinë tonë si e kërkojnë demokratët. Sot PD po qëndron siç e do Rama, e mbyllur brenda fatkeqësisht nga lidershipi që thotë se zgjedhjet nuk fitohen.”
Ai përfundoi duke ftuar demokratët dhe mbështetësit të angazhohen për një PD të bazuar në meritë, komunikim dhe demokraci: “E kemi në dorë të gjithë ta bëjmë PD-në si e duan qytetarët dhe demokratët.”
© BalkanWeb