Perez karikon Real Madridin: Kemi fituar 58 tituj në 15 vitet e fundit, nuk dorëzohemi kurrë
20 Dhjetor 2025
11:29
Alfred Lleshi
Florentino Pérez përdori darkën e Krishtlindjeve me ekipet e futbollit dhe basketbollit për të mbajtur një fjalim motivues, duke u bërë thirrje lojtarëve të mos bien në vetëkënaqësi dhe theksuar përgjegjësinë e të veshurit fanellën e Real Madridit: “Gëzuar festat të gjithëve! Vlerat me të cilat u ndërtua historia e Real Madridit janë puna, sakrifica, përkushtimi, përmirësimi, harmonia, respekti, përulësia dhe solidariteti.
Të jesh pjesë e Real Madridit është privilegj dhe përgjegjësi e madhe. Ju jeni shembull për miliona njerëz, veçanërisht për fëmijët që ju shohin si idhuj. Kemi fituar 58 tituj në 15 vitet e fundit: 30 në futboll, 28 në basketboll, përfshirë 6 Kupa Europe dhe 3 Kupa Europe në basketboll. Megjithatë nuk duhet të jemi kurrë të vetëkënaqur; çdo vit duhet të punojmë deri në fund.
Ky klub ka 660 milionë ndjekës në rrjetet sociale, edhe kjo tregon madhështinë e tij. Këtu duhet të luftojmë deri në fund, askush të mos dorëzohet në çdo ndeshje dhe të japë gjithçka në fushë. Faleminderit për përkushtimin dhe solidaritetin tuaj! Më vonë do të vizitoni fëmijët në spitale dhe do t’u sillni gëzim. Ju uroj festë të lumtur dhe vit të ri me shëndet e lumturi!”