Përfituan 30 mln euro nga krijimi i shoqërive fiktive në Europë dhe Amerikën Latine/ Policia jep detaje: Si funksiononte skema e mashtrimit. Paratë pastroheshin në Dhërmi
Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me operacionin e koduar “Kapitali”. Siç njoftohet nga policia, janë sekuestruar sipërfaqe toke, 3 shoqëri tregtare, 2 automjete si edhe llogari bankare.
Shtetasit Alvaro Romillo Castillo, Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole (familjarë me njëri-tjetrin), nëpërmjet skemës së mashtrimit dhe krijimit të shoqërive fiktive në Europë dhe Amerikën Latine, dyshohet se kanë gjeneruar rreth 30 milionë euro.
Para të cilat pastroheshin në Dhërmi, sipas hetimeve. Pra shoqëritë fiktive, me objekt veprimtari në fushën e turizmit, realizonin shitblerje të pronave të paluajtshme me vlera më të ulëta se ato realet në treg, me qëllim pastrimin e parave.
Sqarohet se për të kryer transaksione të kundërligjshme me këto para me burime kriminale, shtetasit kishin themeluar shoqëri tregtare fiktive, në Shqipëri, Spanjë, Portugali, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Republikën Dominikane dhe në Estoni.
Njoftimi i plotë
Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Kapitali”.
Vihet sekuestro mbi 2 sipërfaqe toke në Dhërmi, 3 shoqëri tregtare, 2 automjete dhe llogari bankare.
Asetet, të përfituara nga 3 shtetas (familjarë të njëri-tjetrit), nëpërmjet mashtrimit kompjuterik dhe krijimit të shoqërive fiktive në Europë dhe Amerikë të Veriut, për shitblerje pronash të paluajtshme me vlera më të ulëta se ato realet në treg.
Skema e mashtrimit dyshohet se ka gjeneruar për përfituesit, rreth 30 milionë euro.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kapitali” ekzekutuan urdhrin për vënien e sekuestros mbi 2 sipërfaqe toke në Dhërmi, 3 shoqëri tregtare, 1 automjet tip “Mercedes Benz AMG”, 1 automjet tip “Toyota Land Cruiser” dhe 3 llogari bankare.
Nga hetimet ka rezultuar se asetet ishin përfituar nga shtetasi A. C., babai i tij, shtetasi D. I. dhe nga partnerja e tij, shtetasja M. M., duke mashtruar qytetarë, nëpërmjet një platforme. Për të kryer transaksione të kundërligjshme me këto para me burime kriminale, shtetasit kishin themeluar shoqëri tregtare fiktive, në Shqipëri, Spanjë, Portugali, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Republikën Dominikane dhe në Estoni. Shoqëritë fiktive, me objekt veprimtari në fushën e turizmit, realizonin shitblerje të pronave të paluajtshme me vlera më të ulëta se ato realet në treg, me qëllim pastrimin e parave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb