Petr Yan hakmarret ndaj Dvalishvili dhe rikthehet kampion bote, Joshua Van rrëmben titullin në peshën “flyweight”
7 Dhjetor 2025
8:35
Telesport
Në eventin UFC-323, i fundit për këtë vit në artet marciale mikse, janë shpallur dy kampionë të rinj bote për meshkuj.
Në fakt, njëri është rikthim në majë dhe bëhet fjalë për Petr Yan. Rusi është hakmarrë ndaj gjeorgjianit Merab Dvalishvili (21 fitore, 5 humbje), duke u shpallur sërish kampion bote në peshën “bantamweight” (pesha 62kg).
Në kafaz, ai mundi me vendim unanim të gjyqtarëve Dvalishvili pas 5 raundesh të fortë (49-46, 49-46, 48-47). Yan korri suksesin e 20-të në karrierë (ka edhe 5 humbje), duke u rikthyer kampion bote pas gati 3 vitesh.
Në peshën “flyweight” (pesha 57kg), amerikani Joshua Van korri suksesin e 16 në karrierë (ka edhe dy humbje). Ai mundi me KO teknik në raundin e parë brazilianin Alexandre Pantoja, duke u shpallur kampion bote.
Pantoja (30 fitore e 6 humbje në kafaz) pësoi një dëmtim në krah dhe humbet për herë të parë pas 4 vitesh. Van bëri një start të fuqishëm të sfidës dhe e meritoi fitoren, duke u shpallur për herë të parë kampion bote.
Në këtë event dueluan edhe 3 ish-kampionë bote: Brandon Moreno dhe Henry Cejudo u mundën, ndërsa Jan Blachowicz fitoi.