Pezullimi i Ballukut?/ Rada: E njëjta drejtësi liroi Berishën nga arresti se kishte “një punë” për të bërë…
Gazetari Ardit Rada ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Ora e fundit” në ABC News, ku u pyet lidhur me një prej shkrimeve të tij të fundit, ku krahasoi rastin e pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku me figura të rëndësishme politike botërore që kanë vijuar detyrën edhe gjatë kohës që janë hetuar ose janë gjykuar.
Duke u ndalur tek vendimi që pritet të martën nga Gjykata Kushtetuese, Rada tha se pezullimi i Ballukut bëhet edhe më i debatueshëm kur merret parasysh rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u lirua nga arresti shtëpiak me argumentin se është lider i opozitës.
Sipas Radës, fakti që Balluku është një ministre që iu shërben të gjithë qytetarëve nuk është marrë në konsideratë në të njëjtën mënyrë.
“Të njëjtët që u revoltuan për Berishën kur gjykata ia rrëzonte kërkesat, sot janë ata që kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të Ballukut. Krahasimi im lidhet pikërisht me këtë standard të dyfishtë të drejtësisë dhe opozitës” u shpreh Rada.
Ai theksoi se nuk paragjykon drejtësinë dhe se vetë Balluku nuk ka bërë deklarata kundër institucioneve të drejtësisë, madje është treguar e gatshme të përballet me akuzat.
“Fokusohuni tek fjala e Ballukut në Kuvend ku ajo është shprehur se do të jetë bashkëpunuese me drejtesinë.Në këtë kontekst, as unë nuk mund t’i lejoj vetes të paragjykoj hetimet. Por rasti i saj bazohet kryesisht në mesazhe telefonike, pa një ekspertizë teknike apo prova konkrete të lidhura me veprat penale të pretenduara. Ku janë ekspertizat e tunelit që ka kushtuar X leke, por duhet të kushtonte Ypsilon leke? Si provohet kosto e tunelit apo veprave të tjera, që SPAK ka nisur hetimet?” shtoi Rada.
Gazetari solli shembuj nga vende të ndryshme perëndimore, ku figura të larta të politikës kanë vijuar detyrën deri në momentin e një vendimi të formës së prerë.
“Në të gjithë botën, personat që kam përmendur në shkrim kanë qenë në detyrë deri sa janë dënuar. Edhe nëse janë hetuar për vite. Nëse gjyqi ndaj Ballukut zgjat 10 vjet, si mund t’i mbahet peng jeta politike kaq gjatë? Kjo nuk është ajo që ndodh në Perëndim, ku ne mendojmë se duam të shkojmë,” tha ai për “Ora e fundit”
Sipas Radës, pezullimi automatik i zyrtarëve nën hetim krijon precedent të rrezikshëm dhe cenon parimin e prezumimit të pafajësisë, ndërkohë që në Shqipëri shpesh vendimet e drejtësisë interpretohen në mënyrë politike. / abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!