Pezullimi i vizave të emigrimit që prekin dhe Shqipërinë, 75 kongresmenë amerikanë letër Rubios: Do të ketë pasoja ekonomike e sociale, ndikim dhe tek zgjedhësit
75 kongresmenë amerikanë përmes një letre drejtuar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, shprehin shqetësimin e tyre për pezullimin e vizave të emigracionit për 75 vende, duke kërkuar tërheqjen e këtij vendimi.
“Ju shkruajmë për të dënuar fuqimisht vendimin tuaj të njëanshëm për të pezulluar lëshimin e të gjitha vizave të emigracionit për 75 shtete.
Ky është një vendim skandaloz dhe diskriminues i administratës suaj, që prek gati 40% të të gjitha vendeve të botës. Është gjithashtu tronditëse që një ndryshim kaq drastik politikash, i cili prek qindra mijëra njerëz çdo vit, u njoftua jo vetëm përmes një postimi në Twitter, por edhe pa ofruar asnjë informacion domethënës mbi vetë pezullimin’”, thuhet në dokument.
Sipas Departamentit të Shtetit, lista e vendeve të prekura përfshin:
Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antiguan dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamasin, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Birmaninë, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Domenikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kits dhe Nevisin, Shën Luçian, Shën Vincentin dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.
Kongresmenët shkruajnë se pezullimi do të prekë të afërmit e shtetasve amerikanë dhe një sërë kategorish të tjera, ndërsa thonë se kjo mund të ndikojë te pothuajse gjysma e emigrantëve të ligjshëm.
“Meqenëse kjo politikë zbatohet për të gjitha vizat e emigracionit, ajo prek të afërmit e shtetasve amerikanë, si dhe të gjitha vizat e sponsorizuara nga familja, punëdhënësit, punonjësit fetarë, programin e diversitetit dhe vizat për rezidentë që kthehen. Sipas Departamentit të Shtetit, këto 75 vende përbënin rreth 243,671 viza emigracioni në vitin fiskal 2023, 280,015 në vitin fiskal 2024 dhe 189,583 nga tetori deri në maj të vitit fiskal 2025. Ekspertët thonë se pezullimi i pacaktuar do të refuzojë pothuajse gjysmën e të gjithë emigrantëve të ligjshëm gjatë vitit të ardhshëm. Një analizë e vizave të lëshuara gjatë tre viteve të fundit tregon se personat nga vendet e prekura përbëjnë 40–45% të të gjitha vizave të emigracionit”, shkruhet në letër.
Në të shprehet edhe shqetësimi për ndikimin te zgjedhësit, pasojat sociale e ekonomike duke shkaktuar më shumë dëme sesa dobi.
“Distriktet tona kongresionale përfaqësojnë individë nga të gjitha vendet e listuara në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Kjo politikë diskriminuese do të ketë një ndikim shkatërrues për zgjedhësit tanë. Ajo do të ndajë familje dhe do t’i pengojë ato të ribashkohen, do t’u bllokojë individëve ndjekjen e ëndrrës amerikane, do të ngadalësojë rritjen e bizneseve të vogla dhe do të minojë aftësinë e organizatave fetare për të ndërtuar dhe mbajtur komunitetet e tyre. Me pak fjalë, kjo politikë është e prapambetur, e vjetëruar dhe shkakton shumë më tepër dëm sesa dobi”, vijon letra.
Brenda 20 shkurtit të këtij viti, kongresmenët i kanë vendosur afat administratës që t’iu kthejë përgjigje për disa pyetje
1. Departamenti i Shtetit ka deklaruar se “administrata Trump po i jep fund abuzimit të sistemit amerikan të emigracionit nga ata që do të përfitonin pasuri në kurriz të popullit amerikan.” A disponon administrata të dhëna që mbështesin këtë pretendim për të justifikuar këtë politikë?
2.Cili është justifikimi ligjor për veprimin e Departamentit?
3. Sipas Departamentit të Shtetit, ky pezullim është i nevojshëm për të siguruar që emigrantët nga këto vende të mos bëhen barrë publike. Barra publike ka qenë prej kohësh një arsye për papranueshmëri sipas Ligjit për Emigracionin dhe Kombësinë, dhe agjencitë, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare, dinë si të kryejnë vlerësime individuale të aplikantëve për të përcaktuar nëse ka gjasa të bëhen barrë publike. Pse administrata tani ka nevojë për një pezullim të përgjithshëm për të gjithë aplikantët?
4. Duke qenë se ju besoni se kjo politikë do t’u kursejë para amerikanëve, edhe pse vendi ynë përfiton nga emigracioni neto, a kanë kryer departamentet tuaja një analizë kosto-përfitim të kësaj politike? Nëse po, kërkojmë që analiza t’i dorëzohet Kongresit.
5. Njoftimi i Departamentit të Shtetit thotë se ai “po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara ose të bëhen barrë publike.” Kur mendon departamenti se do të përfundojë ky “rishikim” dhe nëse do të shtohen përjashtime të tjera në këtë politikë?
Në fund, letra rithekson shqetësimin dhe kërkesën e fortë për tërheqjen e vendimit.
Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit u njoftua më 14 janar. Ambasada amerikane në Tiranë se intervistat për viza emigrimi do të vijojnë. Personat që kanë një shtetësi tjetër, që nuk rezulton në listën me 75 vende përjashtohen nga vendimi. Vizat që janë dhënë deri më tani nuk revokohen, ndërsa vizitat dhe turizmi drejt SHBA-ve vijon normalisht.
© BalkanWeb