Pikantet e Elbasani-Partizani/ Atmosferë festive në tribuna, sfida mbyllet me tension
Atmosferë e gjallë në Elbasan pavarësisht motit të paqëndrueshëm, me tifozët që krijuan emocione në tribuna dhe tensione sportive në fushë. Detajet, momentet e veçanta dhe situatat që që nuk i kap kamera serviren nga “Panorama Sport”.
– Edhe pse moti i paqëndrueshëm ndikoi në numrin e të pranishmëve, sërish afro 2 mijë e 500 tifozë e ndoqën sfidën nga afër. Nuk munguan as grupimet ultrase të Elbasanit dhe Partizanit.
– Atmosfera e festave ishte e pranishme edhe në stadium, ku ndryshe nga ndeshjet e tjera u vunë re edhe disa flamuj shqiptarë.
– Gvozdenoviç nxjerr në nxehmje lojtarët e stolit që në minutën e 31-të, për të mbajtur ekipin gati në rast të ndonjë zëvendësimi të paparashikuar. Pak minuta më pas të njëjtën gjë e bën edhe Kërnaja.
– Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, nervozohet me gjyqtarin për një vendim që sipas tij nuk ishte në favor të ekipit të tij, por anësori ndërhyn për ta qetësuar.
– Mbrojtësi i Elbasanit, Sigitas Olberkis, i thotë diçka me nerva Rrok Tomës, i cili ishte i shtrirë pas një dyluftimi me lojtarin verdheblu.
– Fundi i pjesës së parë sjell polemika mes lojtarëve të Elbasanit dhe gjyqtarit, që sipas tyre mbyll pjesën para kohe. Por ora e stadiumit në Elbasan ka pasaktësi dhe nuk përputhet me atë të gjyqtarit.
– Loukili ankohet te arbitri duke i treguar shenjën në këmbë, por Doda nuk ndikohet nga kërkesa për të verdhë.
– Duke parë se Partizani kishte kryer katër zëvendësime dhe Elbasani asnjë, tifozët verdheblu i kërkojnë Gvozdenoviçit të freskojë skuadrën me hyrjen e lojtarëve të stolit.
– Ultrasit e Elbasanit sfidojnë të ftohtin dhe heqin bluzat në minutën e 75-të të sfidës, duke ndezur atmosferën në tribuna.
– Pjesa e dytë e ndeshjes solli shumë ndalesa nga lojtarët e Partizanit, gjë që shkaktoi shpesh irritim te tifozët e Elbasanit.
– Pas përfundimit të ndeshjes, në tribunën qendrore tifozët ndiqnin në ekranet e telefonave dhe televizorëve në stadium mbylljen e sfidës Vllaznia-Teuta, e cila përfundoi pak më vonë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb