Pio Esposito: Këtë gol e prisja prej kohësh, me Chivu kam një lidhje të veçantë
15 Janar 2026
8:20
Alfred Lleshi
“Këtë gol e prisja prej kohësh, më në fund erdhi. Puna e madhe gjithmonë shpërblehet, në një mënyrë ose në një tjetër. Jam shumë i lumtur, e prisja vërtet shumë. Më mungon ende goli në Champions, por për momentin mjafton kështu”. Ishte një mbrëmje e veçantë për Pio Espositon. Goli i tij i parë në kampionat në “San Siro” i dhuroi Interit një fitore shumë të rëndësishme.
Pas golit, Chivu vrapoi drejt tij për ta përqafuar. “Jam i lumtur me përqafimin e trajnerit, kishte ndodhur edhe te ‘Primavera’. Lidhja jonë është e bërë nga pak fjalë, por nga shumë afeksion, – tha sulmuesi zikaltër për DAZN, i zgjedhur MVP i Inter-Lecce.
– Trajneri është nga ata persona që nuk kanë nevojë për shumë fjalë. Praktikisht jemi rritur bashkë, ai si trajner dhe unë si lojtar. Është shumë i rëndësishëm për mua edhe si njeri. Vendi i parë nuk na frikëson, përkundrazi na motivon. Nuk mund të të frikësojë objektivi yt. Duam të qëndrojmë aty. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, sonte erdhi një tjetër konfirmim”.