Policia e vuri në përgjim/ U kap me 6 kg kokainë, arrestohet i riu shqiptar në Itali
Një 21-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar të mërkurën nga Policia e Shtetit në Verona, nën akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin. Operacioni u zhvillua nga oficerët e Skuadrës Fluturuese gjatë një patrullimi rutinë në territor.
Sipas autoriteteve, vëmendja e policisë u tërhoq nga sjellja e dyshimtë e të riut në zonën Porto San Pancrazio, pranë Porta Vescovo. Oficerët e ndoqën për një distancë të shkurtër, duke e vëzhguar teksa hynte në një garazh nëntokësor dhe dilte disa minuta më vonë me një çantë shpine.
Në këtë moment, policia ndërhyri dhe e ndaloi për kontroll. Gjatë kontrollit personal dhe të çantës së shpinës, u gjetën disa pako që përmbanin heroinë. Hetimet e mëtejshme çuan në identifikimin e garazhit të përdorur nga i riu, ku u zbuluan sasi të tjera droge, si dhe materiale të destinuara për përzierjen dhe përpunimin e saj.
Në total, policia sekuestroi rreth gjashtë kilogramë heroinë dhe 15 kilogramë substanca prerëse, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale për hetim. Pas përfundimit të procedurave, 21-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Montorios, ku ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, në pritje të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë. Operacioni është pjesë e aksioneve të vazhdueshme të Policisë së Shtetit kundër trafikut të drogës në qytet.
© BalkanWeb