Polonia dhe Ukraina tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë tensionet historike
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u prit sot nga homologu i tij polak, Karol Nawrocki, në Pallatin Presidencial në Varshavë. Vizita e Zelensky synon të sigurojë që marrëdhëniet me aleatin kryesor, Poloninë të mbeten të qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në pushtet, në Varshavë.
Duke folur gjatë një konference për shtyp të premten, Nawrocki sinjalizoi se ishte i kënaqur me vizitën e Zelensky.
“Në çështjet strategjike, bashkëpunimi ynë në fushën e çështjeve të sigurisë, Polonia, Ukraina, vendet e rajonit, vendet me vlera demokratike janë së bashku dhe kjo nuk ka qenë kurrë në dyshim”, tha Nawrocki.
Nawrocki tha se Polonia kishte mbështetur përpjekjet për të transferuar asetet e ngrira ruse në Ukrainë, si dhe sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe veprime kundër “flotës hije”.
Zelensky tha se Ukraina ishte e gatshme të ndante ekspertizën e saj në mbrojtjen nga dronët dhe mirëpriti bizneset polake të merrnin pjesë në rindërtimin e Ukrainës.
Qeveria aktuale e Polonisë është një mbështetëse e fortë e Ukrainës, me kryeministrin Donald Tusk që vepron si një nga mbrojtësit më të vendosur të Kievit në forumet ndërkombëtare.
Por, rezultatet e zgjedhjeve presidenciale tregojnë se partia e mëparshme nacionaliste në pushtet, “Ligj dhe Drejtësi”, mund të kthehet në pushtet në vitin 2027.
Duke mbrojtur qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Nawrocki tha se priste që Zelensky të shprehte mirënjohje për ndihmën e rëndësishme ushtarake dhe humanitare që Polonia i kishte ofruar Ukrainës.
“Unë kam kërkuar vazhdimisht simetri në marrëdhëniet midis Polonisë dhe Ukrainës”, tha ai në fillim të dhjetorit.
Nawrocki tha se pranimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk mund të ishte pa kushte dhe se Polonia po shpenzonte shumë burime për refugjatët ukrainas në kurriz të polakëve.